Një zyrtar i lartë i Koresë së Veriut ka bërë thirrje për forcimin e “unitetit luftarak” me Kinën gjatë një takimi me këshilltarin më të lartë politik të vendit fqinj, transmeton Anadolu.
Wang Huning dje mbërriti në kryeqytetin e Koresë së Veriut, Phenian, për një vizitë treditore, me rastin e 65-vjetorit të Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Ndërsjellë mes dy vendeve, i cili u nënshkrua në korrik të vitit 1961 dhe përfshin edhe një dispozitë për mbrojtjen.
Agjencia shtetërore KCNA raportoi se Jo Yong Won, sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë, priti Wang-un i cili është kryetar i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez.
“Situata aktuale politike ndërkombëtare, që ndryshon vazhdimisht, kërkon që dy vendet të forcojnë më tej unitetin luftarak, mbështetjen dhe solidaritetin si dhe të intensifikojnë dhe zhvillojnë në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin”, i tha Jo Wang-ut, duke theksuar rëndësinë e traktatit dypalësh.
Vizita e Wang-ut, e treta e këtij niveli në Phenian gjatë këtij viti, vjen vetëm pak ditë pasi kryeministri i Koresë së Veriut, Pak Thae-song, vizitoi Kinën javën e kaluar për të marrë pjesë në aktivitetet që shënuan përvjetorin e traktatit.
Ai përsëriti qëndrimin e Phenianit për “zgjerimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në shumë fusha, duke ruajtur komunikimin e ngushtë strategjik dhe bashkëpunimin taktik midis dy partive dhe dy vendeve”.
Wang, i cili renditet i katërti në hierarkinë politike të Kinës, ka thënë se traktati mes Kinës dhe Republikës Popullore Demokratike të Koresë (DPRK) krijoi “bazën ligjore për konsolidimin e miqësisë luftarake të krijuar me gjak”.
Dy zyrtarët diskutuan gjithashtu mbi thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, kulturë dhe në të gjitha fushat e tjera ndërmjet dy vendeve. Muajin e kaluar, presidenti kinez Xi Jinping vizitoi Korenë e Veriut dhe u takua me udhëheqësin e saj, Kim Jong Un, ndërsa ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi vizitoi Phenianin në muajin prill.





