Koronavirusi në Shqipëri: 22 raste të reja, numri i të prekurve arrin në 584

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri ka bërë të ditur se janë 22 raste të reja me koronavirus gjatë 24 orëve të fundit.

Kjo e ka çuar në 584 numrin e të prekurve në total nga të cilët 26 persona kanë ndërruar jetë, shkruan A2 CNN.

Raporti i plotë i Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri:

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 233 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 22 raste pozitive me COVID19.

Nga rastet e reja 3 janë në Shkodër, 2 raste në Tiranë. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në vatrën e Krujës ku kanë rezultuar pozitivë 5 persona dhe në Kurbin ku kemi 12 raste të reja.

Deri në këto momente janë testuar 5775 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 584 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 327.

Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë. Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.

Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar, prej të cilëve 5 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 44 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Kurbin, Krujë, Shkodër dhe Tiranë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë            253 raste

– Durrës            42 raste

– Lushnje          6 raste

– Elbasan          16 raste

– Fier                 36 raste

– Kavajë            9 raste

– Rrogozhinë     4 raste

– Korçë             19 raste

– Vlorë              5 raste

– Shkodër          99 raste

– Lezhë             14 raste

– Berat              2 raste

– Has                13 raste

– Krujë              23 raste

-Tropojë           4 raste

– Pukë               5 raste

– Mirditë           3 raste

– Kukës           11 rast

-Mallakastër     1 raste

– Kurbin           19 raste

Pavarësisht luhatjeve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar.

Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme.

Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit.

Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.