Kosova dhe Kolumbia kanë shënuar një hap të ri në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke nënshkruar tri marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi, përfshirë heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare.
Gjatë një takimi zyrtar, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, priti homologen e tij nga Kolumbia, Paula Andrea Cerón Arboleda, me të cilën riafirmuan përkushtimin për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Me këtë rast, palët nënshkruan:
Marrëveshjen për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike dhe zyrtare;
Marrëveshjen për konsultime politike ndërmjet ministrive të jashtme;
Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet akademive diplomatike.
Sipas njoftimit zyrtar, këto marrëveshje synojnë të forcojnë lidhjet institucionale dhe të avancojnë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë.
Gjatë takimit u diskutua edhe mundësia e liberalizimit të vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta. Pala kosovare i dorëzoi asaj kolumbiane një draft fillestar për këtë çështje, duke shënuar një hap konkret drejt lehtësimit të lëvizjes së qytetarëve.
Po ashtu, palët u pajtuan që së shpejti të mbahet raundi i parë i konsultimeve politike në Prishtinë, me synim konkretizimin e bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm.
Në kuadër të vizitës në Kolumbi, Ahmeti zhvilloi takime edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera, përfshirë zëvendësministrin e Mbrojtjes Nacionale, Javier Baquero, ku u diskutua bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Gjithashtu, ai u takua me përfaqësues të ministrive të kulturës, arsimit, sportit dhe bujqësisë, ku u identifikuan mundësi konkrete për zgjerimin e bashkëpunimit.
Vizita në Kolumbi përmbylli një tur diplomatik në rajon, gjatë të cilit u nënshkruan gjithsej gjashtë marrëveshje, duke forcuar praninë dhe partneritetet e Kosova në Amerikën Latine.








