etëm në muajin e fundit, në Kosovë janë sekuestruar dhjetëra tonë mish të dyshimtë dhe me afat të skaduar.
Në Mitrovicë në vetëm dy markete u konfiskuan mbi një ton mish. Sasi e njëjtë u konfiskua edhe në Ferizaj.
E mish i prishur u gjet edhe në Skënderaj, raporton Tribuna Channel.
Megjithë këto skandale me mish, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë thotë se mishi në Kosovë është shumë i sigurt.
Televizioni tentoi të marrë një prononcim për këtë çështje nga ky agjencion, por ata thanë se nuk dëshirojnë të flasin për këtë temë.
Kryeshefi ekzekutiv i AUV-it, Valdet Gjinovci një ditë më parë tha për media se sa i përket mishit nuk ka vend për shqetësim.
Madje, Gjinovci paralajmëroi të gjithë ata që merren me industrinë e mishit, që të mos ndihen të qetë nëse tentojnë të bëjnë gjëra të pandërgjegjshme, sepse nuk do lihen rehat nga AUV-i dhe prokuroria.
Por, përveç mishit të dyshimtë të importuar nga Belgjika, në marketet tona përdoren mënyra primitive për bartjen dhe shitjen e produkteve të mishit.
Tribuna Channel ka siguruar një video ku shihet se në ç’mënyrë transportohet mishi në marketin Interex në Pejë.
Ndërsa, burime tregojnë se ky mish bartet nga një kombi-bus me targa 02 i firmës “Eco” dhe se lihet prapa Interex-it me orë të tëra.
Aty siç shihet në videon e siguruar nga televizioni ynë, nuk ekzistojnë as kushtet minimale higjienike.
Madje sipas burimeve edhe kafshët janë prezente aty.
Për profesorin e Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hamidi rastet e fundit janë shumë shqetësuese dhe kanë një ndikim shumë të madh në shëndetin e njeriut.
“Edhe në kushte normale mishi i gjedhit me nivele të pranueshme të ngarkesës mikrobiologjike nuk guxon të mbahet në temperaturë të ngrirjes në -25 C për mbi 18 muaj dhe në -30 C mbi 24 muaj. Nga informacionet jo shumë burimore bëhet fjalë për një mish mekanikisht të ndarë dhe me një çmim shumë të lire (rreth 1 EU). Ky mish është i kategorisë së tretë dhe në kushte normale përfitohet nga pjesët e ndryshme të karkasës dhe që nuk mund të tregtohet si i freskët dhe zakonisht përfundon në përpunim teknologjik për prodhime të ndryshme siç janë sallamet, suxhuqet, rriskat e gjedhit, pashtetat duke marrur parasysh që ai paraprakisht duhet të ndahet mekanikisht, trajtohet me nxehtësi deri në formë emulzive (në varësi të produktit) dhe pastaj të ftohet, në një mënyrë forma ose aparenca e tij origjinale në produkt humbet plotësisht.”
Adriatik Stavileci nga dogana e Kosovës, i kontaktuar nga televizioni ka theksuar se mishi i shpezëve, më saktësisht mishi i pulës importohet më së shumti në Kosovë. SHBA-ja, Brazil e Argjentina i prijnë listës së importuesve të mishit në Kosovë.
“Në Kosovë brenda një viti importohen mbi 40 milionë kilogramë mish, të të gjitha llojeve së bashku. Sipas statistikave tona më së shumti brenda një viti Kosova importon mishin e shpezëve (pule). Derisa, origjina e mishit i cili importohet në vendin tonë kryesisht është nga SHBA, Brazil dhe Argjentinë”.








