Kosova për 1 vit me COVID-19: Mbi 350 mijë teste, mbi 76 mijë të infektuar dhe 1696 viktima

Me 578 raste të reja me koronavirus sot, Kosova ka mbërritur në numrin e 76,688 raste pozitive gjithsej që nga fillimi i pandemisë.

Nga gjithsej 351,523 persona të testuar për virusin COVID-19 tash e saktësisht një vit, 76,688 prej tyre kanë rezultuar pozitivë, shkruan lajmi.net.

Por, nga ky numër i rasteve të përgjithshme pozitive për një vit me prezencën e COVID-19, virusin kanë arritur ta mposhtin saktësisht 64,362 persona ndërsa 1696 të tjerë kanë vdekur.

Prishtina vijon të jetë komuna më e prekur me rreth 30 mijë raste në total dhe mbi 250 të vdekur.Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan pa asnjë dozë vaksine, ndërsa edhe shtetet e rajonit tashmë kanë filluar vaksinimin.

Shqipëria është ofruar të vaksinojë mjekët kosovarë përmes një marrëveshjeje mes dy vendeve në Kukës, por mbetet për t’u parë se si do të realizohet.

Autoritetet vazhdojnë të përsërisin premtimin e njëjtë se vaksinat do të vijnë së shpejti, ndërsa numri i rasteve ditore ka filluar të rritet si pasojë e fushatës elektorale për zgjedhjet e shkurtit.

Si sot, një vit më parë nëpërmjet një konference të jashtëzakonshme të ftuar nga kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në ora 17:30 minuta u konfirmuan dy rastet e para me virusin Korona në Kosovë.

Një 77-vjeçar nga fshati Stubëll i Vitisë dhe një shtetase italiane ishin dy rastet pozitive nga 15 mostra që ishin testuar mes 12 e 13 marsit të vitit të kaluar. Qeveria mori masa strikte dhe vendi shkoi drejt mbylljes totale.