Bullgaria ka pranuar të përdorë emrin e shkurtër Maqedonia e Veriut, në mënyrë të barabartë sikurse emrin e gjatë Republika e Maqedonisë së Veriut dhe nuk do ta bllokojë përdorimin e këtij emri në proceset ndërkombëtare.
Maqedonia e Veriut nga ana tjetër me notë verbale në OKB e konfirmoi se përdorimi i emrit të shkurtër nuk ka kurrfarë implikimi mbi integritetin territorial të Bullgarisë.
Këtë proces njoftuan në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup, kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë, Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov.
“Heqja e çështjes për emrin e shkurtër Maqedonia e Veriut nga tryeza e bisedimeve përmes një marrëdhënie të tillë të harmonizuar dhe miqësore me të dyja palët për mua paraqet hapin e parë të madh në këtë kapitull tonin të ri. Hapat e tillë e shtojnë optimizmin për të ardhmen. Hapat e tillë çojnë drejt një lidhje më të fuqishme dhe drejt një bashkëpunimi më të madh midis dy shteteve dhe dy popujve”, deklaroi kryeministri Kovaçevski.
Ai shtoi se me Petkovin kanë rënë dakord për ta shfrytëzuar energjinë e re edhe përmes qasjes së bazuar në respektin e ndërsjellë midis dy vendeve.
“Ne kemi një qëllim të përbashkët për të krijuar kushte për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë. Kjo vizitë e sotme e kolegut Petkov përkon me 30-vjetorin e njohjes së Republikës së Bullgarisë në vendin tonë nën emrin kushtetues. Bullgaria është vendi i parë që na ka njohur dhe ka bërë akt miqësor në kushte jashtëzakonisht të ndërlikuara politike. Tridhjetë vite më vonë jemi duke hapur një dritare të re të bashkëpunimit që besojmë se do të rezultojë me një akt të ri miqësor dhe të fqinjësisë së mirë, mbështetjen për eurointegrimin tonë”, tha Kovaçevski.
Ai theksoi se “Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë dy shtete fqinje të afërta, ndërsa maqedonasit dhe bullgarët janë dy popuj të afërt miqësorë, duke shtuar se, sot dy kryeministra të dy shteteve shumë të afërta janë pajtuar me një dinamikë intensive të zgjidhjes së çështjeve të hapura me qëllim sigurimin më të shpejtë të së ardhmes së re”.
Kovaçevski paralajmëroi se hapi i radhës është të finalizohet marrëveshja për bashkëpunim ndërkufitar për periudhën 2022–2029 dhe se projekti më i rëndësishëm nga kjo sferë është hapja e vendkalimit kufitar Klepalo pasi do të mundesojë lehtësimin e lëvizjeve, transportin dhe tregtinë.
“Do të formohen grupe pune të cilat do të punojnë në projekte konkrete në përforcimin e bashkëpunimit dhe në vendosjen e besimit më të madh dhe të ndërtimit të marrëdhënieve të cilat do të thonë e ardhme më prosperuese. Këto grupe do të punojnë së bashku dhe do të vazhdojnë projekte dhe aktivitete të përbashkëta”, tha Kovaçevski. /atsh






