Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë
të ditur se deri në ora 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë
shfrytëzuar 16.14 për qind e qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e parë KQZ- ja ka njoftuar se të gjitha 87 vendvotimet janë
hapur me kohë dhe nuk është raportuar për parregullësi.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 57 mijë e 983 persona apo 970 votues më
shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.
Në këto zgjedhje në garë janë kandidatë nga Lista Serbe, Partia Demokratike e
Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Në garë për kryetar të Leposaviqit janë: Fisnik Veseli nga Lëvizja
Vetëvendosje, Shaqir Hetemi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Zoran Todiq
nga Lista Serbe.
Në Zubin Potok garojnë: Liridona Kahrimani nga Lëvizja Vetëvendosje, Hysen
Mehmeti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Sërxhan Vulloviq nga Lista Serbe.
Në Zveçan, për kryetarin e kësaj komune garojnë, Avdi Peci nga Lëvizja
Vetëvendosje, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Vuçina Jankoviq
nga Lista Serbe.
Kurse, në Mitrovicën e Veriut garojnë, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje,
Gonxhe Çaushi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Goran Rakiq nga Lista Serbe.
KQZ-ja ka akredituar 464 vëzhgues të zgjedhjeve të cilët përfaqësojnë dy parti
politike, dy misione ndërkombëtare, një nga Komisioni Evropian, dy misione
diplomatike, 12 ambasada, një organizatë joqeveritare ndërkombëtare, katër
organizata joqeveritare vendore dhe 15 medie.
Gjithashtu KQZ-ja ka angazhuar 670 komisionerë për zgjedhjet e jashtëzakonshme
për kryetar të katër komunave në veri të vendit, raporton EO.
Kryetarët e komunave veriore më 26 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje,
në shenjë pakënaqësie ndaj vendosjes së taksës doganore prej 100 për qind.
Presidenti Hashim Thaçi, caktoi datën 19 maj për mbajtjen e zgjedhjeve të
jashtëzakonshme në katër komunat veriore.