KQZ-ja i drejton te kuvendet komunale hartuesit e kërkesave për shkarkim të kryetarëve në veri

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në Kosovë, e ka konfirmuar të mërkurën se ka pranuar disa shkresa me kërkesë për largim të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Bëhet fjalë për kryetarët e komunave në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Të martën, një grup qytetarësh të këtyre komunave, kanë thënë se kanë tentuar të bëjnë kërkesë për “shkarkimin e kryetarëve aktualë”.

Kryetarët shqiptarë janë vendosur në objektet komunale në veri, në fund të majit, hap që ka nxitur protesta të serbëve lokalë.

Ata i kanë fituar zgjedhjet e mbajtura në prill, të cilat janë bojkotuar nga serbët atje.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ky institucion i ka pranuar shkresat, mirëpo hartuesit e tyre i ka deleguar te kryesuesit e kuvendeve komunale të komunave përkatëse, si autoritete kompetente për ta trajtuar këtë çështje.

Ai është thirrur në aktet nënligjore të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Pas protestave që janë bërë kundër kryetarëve shqiptarë në këto komuna, dhe kërkesës së faktorit ndërkombëtar për mbajtje të zgjedhjeve të reja në atë pjesë, autoritetet e Kosovës e kanë publikuar një udhëzim administrativ, që parasheh procedurën se si mund të largohet një kryetar nga komuna.

Një ditë më parë, edhe kryetari i Kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut Nexhat Uglanin, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo “iniciativë” e qytetarëve nuk i është dorëzuar, dhe nuk është në përputhje me udhëzimin administrativ të Qeverisë së Kosovës.

“Kjo kërkesë nuk i është dorëzuar kryetarit ( të Kuvendit komunal) dhe nuk i është dedikuar kryetarit të Kuvendit, por i dedikohet kryetarit të komunës, me arsyetimin se shërbimet ndaj qytetarëve nuk janë të mira”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të martën se autoritetet e Kosovës kanë treguar se “nuk janë të interesuara për ndonjë shtensionim dhe normalizim të situatës në katër komunat në veri të Kosovës”.

Si shembull për një gjë të tillë, Petkoviq ka përmendur se “përfaqësuesit shqiptarë” në komunat në veri kanë refuzuar të pranojnë një iniciativë qytetare, të arsyetuar, sipas tij, për largimin e “kryetarëve të rremë dhe jolegjitimë”. /REL