Kurti nga Gjakova: Ushtria e Policia e Kosovës, s’lejojnë përsëritjen e Çabratit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe tek varrezat e martirëve e dëshmorëve të kombit në Çabrat të Gjakovës.

I shoqëruar edhe nga anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti takoi familjarët e dëshmorëve dhe martirëve në Gjakovë.

Kryeministri tha se Gjakova ka dhënë shumë në çdo luftë e posaçërisht në luftën e fundit.

“Vrasjet e fëmijëve, të pleqve, të grave, të burrave, të rejave e të rinjve, këto varreza ku sheh njeriu pa numër mbiemra të njëjtë të familjeve, tregojnë që Serbia ka ushtruar gjenocid në Kosovë dhe ka pasur për qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Por ajo ka dështuar në këtë projekt mizor e antinjerëzor të saj, dhe sot 25 vjet më vonë ne jemi më të fortë e më të fuqishëm se kurrë më parë”, tha kryeministri Kurti.

Po ashtu, Kurti tha se Ushtria e Policia e Kosovës, s’lejojnë përsëritjen e Çabratit.

“E kemi ushtrinë e Kosovës, e kemi Policinë e Kosovës e cila na mbron anembanë dhe e cila nuk do të lejojë që kurrë të përsëritet çkado e ngjashme, pavarësisht se fqinji ynë verior, Serbia vazhdon të rrëmbejë shqiptar siç ishte rasti para më pak se një muaji me Sadik Durakun, i cili teksa po qarkullonte nëpër Serbi si një vend transit, meqenëse ai jeton në Kosovë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, duke qenë nënshtetas i të dyjave, u kap dhe po mbahet peng në Serbi”, u shpreh ai.

Ai shprehu mirënjohje ndaj familjeve që po qëndrojnë të fortë dhe po e mbajnë lart krenarinë e popullit tonë, i cili ka humbur e ka vuajtur shumë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e dëshmorëve, janë vlera të pamohueshme të shtetit e të kombit tonë, mbi të cilat ne vazhdojmë që të ndërtojmë të ardhmen tonë të ndritshme për brezat që do të vijnë. E ku ka shembull më të mirë për këtë se sa nipi i Lule Sharanit, Dijari, i cili kur u takuam këtu tha që dëshiron të angazhohet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, në ushtrinë e Republikës sonë,” shtoi Kurti.