KQZ-ja ka pranuar 332 pako me fletëvotime nga jashtë për Dragashin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar deri më tani 332 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë, për përsëritjen e votimit nga diaspora për rundin e dytë të zgjedhjeve të komunës së Dragashit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se fletëvotimet do të pranohen më së largu deri më 13 dhjetor, derisa të drejtë të votës kanë vetëm 1,090 votues nga jashtë të kësaj komune.

“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri më tani, KQZ ka pranuar 332 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, ka thënë Elezi.

Me 25 nëntor, Gjykata Supreme ka konfirmuar vendimin për të përsëritur votimin e diasporës në zgjedhjet për kryetar të Dragashit.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ishte ankuar në Supreme, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) kishte vendosur të anulonte tërësisht votat nga jashtë.

Me votat nga jashtë Xheladini kishte përmbysur rezultatin në balotazh ku garon me Shaban Shabanin e PDK-së.

“Me aktgjykimin AA.nr 84/2021, Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si pjesërisht të bazuar ankesën e kandidatit B.Xh., nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dega në Dragash, dhe ka ndryshuar vendimin e PZAP-së, Anr. 1143/2021 në pjesën e II të dispozitivit të tij, duke urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të organizojë përsëritjen e procesit të votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale 2021, për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhej nga Supremja.