KQZ: Të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë, votohet për 166 kandidatë për kryetarë komunash

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë për media për ditën e sotme ku ka folur rreth hapjes së vendvotimeve nëpër qytetet e Kosovës.

Ai ka bërë të ditur se të gjitha vendvotimet në 38 komuna të Kosovës janë hapur në kohë dhe procesi i votimit ka filluar me rregull.

“Në ora 07:00 të mëngjesit janë hapur të gjitha vendvotimet. Numri i vendvotimeve është 2 mijë e 477 në total. Në total janë 166 kandidat për kryetar komunash dhe 5 mijë e 198 kandidat për asamble komunale”, ka thënë Elezi, transmeton lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.885.443 qytetarë të Republikës së Kosovës.

Elezi në fund i ka bërë thirrje qytetarëve në emër të KQZ-së që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.