Kremlini: Ambicia e Finlandës dhe Suedisë për aderim në NATO një gabim i rëndë

Sergei Ryabkov

Pranimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO do të ishte një gabim i rëndë me pasoja të mëdha, deklaroi zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov.

”Si rezultat i kësaj, tensionet ushtarake do të rriten”, paralajmëroi Ryabkov, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

Duke iu drejtuar dy vendeve skandinave, ai shtoi se “ato nuk duhet të kenë iluzione se ne thjesht do të dorëzohemi para kësaj”.

Më herët, në një bisedë telefonike me kreun e shtetit finlandez, Sauli Niinistö, presidenti Vladimir Putin foli për një “gabim” të Helsinkit dhe këmbënguli se ”Rusia nuk përbën kërcënim për Finlandën”.

Të dy vendet ndajnë një kufi prej 1 300 kilometrash.

Planet për anëtarësim në NATO janë ndikuar shumë nga pushtimi rus i Ukrainës.

Finlanda, e cila ka qenë neutrale për dekada, planifikon të aplikojë së shpejti për t’u bashkuar me NATO-n, që aktualisht ka 30 anëtarë.

Edhe Suedia, tradicionalisht e paangazhuar, ka vendosur për një kthesë historike, me socialdemokratët në pushtet tani në favor të bashkimit me aleancën ushtarake perëndimore. /atsh