Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kriza e ushtrisë ruse: sipas The Economist, a dini se ç’bëjnë oficerët...

Kriza e ushtrisë ruse: sipas The Economist, a dini se ç’bëjnë oficerët aty?

Brenda tregut të zi ku komandantët rusë pasurohen me gjakun e ushtarëve të tyre

Një ekonomi e zymtë dhe e korruptuar është rrënjosur thellë në vijat e frontit të luftës ruse në Ukrainë. Dëshmitë e mbledhura nga dezertorët dhe familjarët e ushtarëve zbulojnë një sistem të përhapur zhvatjeje, ku oficerët rusë i shohin vartësit e tyre jo si forcë luftarake, por si burim pasurimi personal.

Siç vëren The Economist, ky korrupsion nuk është thjesht një anomali, por një pjesë përbërëse e makinës luftarake ruse, ku “vija e frontit funksionon si një treg i zi i përgjakshëm”.

Sipas dëshmive të ushtarëve si Maxim, një dezertor 26-vjeçar, komandantët përdorin frikën e vdekjes për të vjelë para. Rekrutët e rinj priten me paralajmërimin se janë thjesht “mish për top” dhe se mbijetesa e tyre nuk varet nga fati, por nga aftësia për të paguar.

Për të shmangur dërgimin në sulme vetëvrasëse, të njohura si “mulli mishi”, ushtarët paguajnë shuma që shkojnë deri në një milion rubla (12.500 dollarë) për t’u transferuar në pozicione më të sigurta në prapavijë.

Përveç ryshfeteve direkte, ushtarët detyrohen të financojnë jetesën luksoze të eprorëve. Maxim përshkruan ndërtimin e apartamenteve nëntokësore të pajisura me parket dhe akuariume për komandantët, ku puna dhe materialet paguhen të gjitha nga xhepi i ushtarëve.

The Economist raporton se kjo lloj zhvatjeje shtrihet deri te pajisjet bazë. Ndërsa shteti pajis vetëm njësitë elitë, këmbësorisë së thjeshtë shpesh i duhet të blejë vetë çizmet, jelekët mbrojtës dhe dronët përmes platformave online.

Sistemi bëhet brutal për ata që refuzojnë të paguajnë ose që nuk kanë më mjete financiare. Dëshmitë tregojnë për ekzistencëne e “zindaneve” ose gropave të torturës, ku ushtarët rrihen ose lihen të lidhur pas pemëve në të ftohtë.

Një rast tronditës është ai i Andrey Bykov, i cili dyshohet se u vra nga shokët e tij me urdhër të komandantëve pasi refuzoi të dorëzonte dy milionë rubla (25 mijë dollarë), vlerë e përfituar si kompensim për plagosjen.

Ky proces eliminimi, përdoret rregullisht për të heshtur “refuzuesit”. Për më tepër, komandantët raportohet se sekuestrojnë kartat bankare të ushtarëve përpara sulmeve. Kur ushtari vritet, ai shpesh shpallet “i zhdukur” në mënyrë që oficeri të vazhdojë të tërheqë pagën e tij nga bankomatët në zonat e pushtuara si Donetsk dhe Luhansk.

Edhe lejet mjekësore pas plagosjes kanë çmime marramendëse. Ryshfetet për t’i shpëtuar rikthimit në front pas një plagosjeje mund të arrijnë shifra absurde, duke e kthyer plagosjen në një mundësi biznesi për eprorët.

Pavarësisht ankesave të shumta drejtuar prokurorisë ushtarake, pak nga eprorët ndëshkohen, ndërsa denoncuesit shpesh përfundojnë të vrarë nga po të njëjtat njësi që tentuan të denonconin. /tesheshi