Krizë urie/ OKB kërkon 800 milionë dollarë për Afganistanin

Agjencia e OKB-së së fundmi ka deklaruar se i duhen urgjentisht 800 milionë dollarë për gjashtë muajt e ardhshëm për të ndihmuar Afganistanin, i cili është në rrezikun më të lartë të urisë.

Ndërkaq deri më tani agjencitë e ndihmës kanë ofruar ushqim, arsim dhe mbështetje të kujdesit shëndetësor për afganët pas pushtimit të talebanëve në gusht të vitit 2021 dhe pas kolapsit ekonomik që pasoi.

Por, ndihmat janë ndikuar rëndë nga një dekret i talebanëve që ndalon gratë të punojnë në organizatat joqeveritare kombëtare dhe ndërkombëtare. Sipas mediave OKB-ja nuk ishte pjesë e këtij ndalimi, por javën e kaluar tha se qeveria e udhëhequr nga talebanët ka ndaluar gratë afgane të punojnë në agjencitë e saj në vend.

Për këtë rast, Programi Botëror i Ushqimit tha se gratë punonjëse luajnë një rol jetik në ofrimin e ndihmës ushqimore dhe se do të bëjë çdo përpjekje të mundshme të sigurojë përfshirjen aktive të stafit femër.

“WFP ka nevojë urgjente për 800 milionë dollarë për gjashtë muajt e ardhshëm për të vazhduar ofrimin e ndihmës për njerëzit në nevojë në të gjithë Afganistanin,” tha organizata. “Uria katastrofike ka trokitur në dyert e Afganistanit dhe nëse nuk ka mbështetje humanitare, qindra mijëra afganë të tjerë do të kenë nevojë për ndihmë për të mbijetuar.”

Sipas një deklarate nga zyra e agjencisë për çështjet humanitare, kërkesat totale të financimit ‘të menjëhershëm’ për të adresuar boshllëqet kritike për tre muajt e ardhshëm është 717.4 milionë dollarë.

Ndër të tjera kjo zyrë ka deklaruar se Afganistani është operacioni i tij me financimin më të ulët globalisht, pavarësisht se është kriza më e madhe humanitare në botë.

Sipas mediave pushtimi i talebanëve çoi miliona afganë në varfëri dhe uri pasi ndihma e huaj u ndal pothuajse brenda natës. Afganistani po përballet me vitin e tretë radhazi të kushteve të thatësirës, me vitin e dytë të rënies ekonomike dhe ende po vuan nga dekada konflikti dhe fatkeqësish natyrore. /abcnews