Kroacia ia ndalon hyrjen Vuçiqit: Jemi vend i NATO-s, s’mund të bëni ç’të doni

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, siç ka mësuar media kroate “Jutarnji list” nga burime të afërta me qeverinë, ka planifikuar që sot të vizitojë privatisht Jasenovacin dhe Pakracin, por autoritetet kroate nuk do ta lejojnë atë të hyjë në vend.

“Sipas burimeve tona, Vuçiq ka kontaktuar me presidentin e SDSS Milorad Pupovac dhe i ka thënë se po planifikonte një vizitë private në Jasenovac. Ai dyshohet se i tha Pupovacit se do të vinte për një vizitë private në Kroaci dhe se nëse donte, mund t’i bashkohej dhe nëse e ndjente të nevojshme, të informonte edhe qeverinë kroate. Pupovac i tha qartë kryeministrit Andrej Plenkoviç se Vuçiç kishte kontaktuar me të dhe qeveria ishte e tronditur nga mënyra se si presidenti serb planifikoi të krijonte kaos në Kroaci”, raporton Jutarnji list, përcjell lajmi.net.

Siç raporton media kroate pa njoftim zyrtar për autoritetet kroate, pa koordinim me ambasadën, Vuçiq ka dashur të kalojë kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina, përkatësisht entiteti i saj Republika Srpska, dhe të mbërrijë në Jasenovac rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00. Këtu, sipas Qeverisë, padyshim që synimi ishte provokimi i palës kroate në prag të përvjetorit të Stuhisë dhe pastaj presidenti serb mund të luante viktimën në vendin e tij, sepse kroatët nuk e lejuan të hynte në vend.

“Nuk respektoi asnjë protokoll, donte të bënte gjithçka jashtë procedurave dhe rregullave të marrëdhënieve diplomatike. Ai donte të kalonte kufirin kroat me ekipet e tij televizive dhe të bënte atë që donte këtu. Por kryeministri Plenkoviq dhe Qeveria thanë qartë jo. Ne jemi një vend i pavarur, anëtar i BE-së dhe NATO-s dhe ai nuk mund të bëjë çfarë të dojë këtu. Politika e “botës gjithëserbe” në Kroaci nuk do t’i funksionojë – e ka të qartë bashkëbiseduesi ynë nga Banski dvor”, raporton media kroate.

“Ai thjesht ka dashur të krijojë kaos para Stuhisë, por ne në Qeveri e kemi thënë qartë se kjo nuk bëhet fjalë”, thonë Banski dvor.