Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të ofrojë mbështetje diplomatike për marrëveshjen e saponënshkruar mes Izraelit dhe Libanit dhe se mund të kontribuojë në një mision të ardhshëm ndërkombëtar pas mandatit të forcës paqeruajtëse të OKB-së, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Dubrovnik të Kroacisë, ku po merr pjesë në një forum ndërkombëtar dhe samitin MED-9, Tajani e përshkroi marrëveshjen si “një hap përpara”, por theksoi se do të duhet kohë që situata të stabilizohet.
“Është e rëndësishme që objektivi i nënshkrimit tashmë është arritur”, tha ai, duke shtuar se Italia është e gatshme të “ofrojë mbështetje diplomatike” dhe të luajë një rol me forcat e saj të armatosura në një mision ndërkombëtar pas UNIFIL.
Tajani tha se ka biseduar me ambasadën italiane në Bejrut dhe se sinjalet fillestare pas marrëveshjes janë pozitive.
“Tani duhet ta kthejmë marrëveshjen në veprime praktike”, tha ai.
Ministri Italian shtoi se Italia së bashku me Francën mund të luajnë një rol të rëndësishëm në rindërtimin e Libanit, përfshirë forcimin e institucioneve të tij.
Duke folur për Hezbollahun, Tajani tha se marrëveshja nuk pritet ta forcojë grupin, por mund të ulë ndikimin e tij dhe të çojë drejt çarmatosjes.



