Ministri i Punëve të Jashtme i Polonisë, Radoslaw Sikorski, i ka kërkuar Izraelit të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke rikonfirmuar mbështetjen e Polonisë për një zgjidhje me dy shtete gjatë bisedimeve me ministren e Punëve të Jashtme e Palestinës, Varsen Aghabekian Shahin, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Varshavë, Sikorski bëri thirrje për ndalimin e asaj që ai e përshkroi si marrje të paligjshme të tokës palestineze dhe dhunë nga kolonët.
“Bregu Perëndimor nuk është pjesë e Izraelit”, tha Sikorski, duke kërkuar “përfundimin e marrjes së paligjshme të tokës, dhunës së kolonëve dhe çmontimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor”.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të mbrojë vendet e adhurimit, të sigurojë qasje të papenguar për besimtarët e të gjitha feve dhe të lirojë të ardhurat doganore dhe tatimore të mbledhura në emër të Autoritetit Palestinez.
Sikorski tha se Polonia e ka njohur Shtetin e Palestinës që nga viti 1988 dhe ka vazhduar të ofrojë mbështetje politike dhe humanitare.
“Ndërsa ndihmojmë Ukrainën fqinje të mbrohet, ne po mbështesim gjithashtu Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor”, tha ai.





