Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryediplomati rus: Kontaktet Rusi-SHBA mbi Ukrainën vazhdojnë joformalisht dhe konfidencialisht

Kryediplomati rus: Kontaktet Rusi-SHBA mbi Ukrainën vazhdojnë joformalisht dhe konfidencialisht

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha sot se kontaktet midis Moskës dhe Washingtonit mbi Ukrainën po vazhdojnë “në mënyrë joformale dhe konfidenciale”, transmeton Anadolu.

“(Zëdhënësi i Kremlinit) Dmitry Peskov ka folur për këtë vazhdimisht. Kontaktet tona mbi çështjen ukrainase vazhdojnë në mënyrë joformale dhe konfidenciale”, u tha Lavrov gazetarëve.

Sipas tij, Rusia nuk ka parë ndonjë perspektivë të veçantë për rifillimin e dialogut për një kohë të gjatë. Lavrov tha se të dërguarit amerikanë aktualisht janë të zënë me çështje të tjera.

“Dhe meqenëse ata (SHBA-ja) kanë një ekip të vetëm ndërmjetësuesish për të gjitha fushat e politikës së jashtme, ka lindur një pauzë e caktuar”, shtoi kryediplomati rus.

Më parë këtë javë, Peskov tha në një konferencë për media se Rusia dhe Ukraina vazhdojnë të komunikojnë me SHBA-në përmes kanaleve të tyre dhe të shkëmbejnë informacion.

Si Moska ashtu edhe Kievi, pauzën në bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë ia kanë atribuar përqendrimit të SHBA-së në Iran.

Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja më parë zhvilluan tre raunde bisedimesh paqeje më 23-24 janar, 4-5 shkurt dhe 17-18 shkurt. Dy të parat ishin në Abu Dhabi ndërsa i treti u zhvillua në Gjenevë.