Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Faisal bin Farhan zhvilloi sot biseda me homologët e tij nga Irani, Omani dhe Katari për të diskutuar mbi deeskalimin rajonal mes frikës nga një sulm i SHBA-së kundër Teheranit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme thuhet se Bin Farhan foli në telefon me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi për të diskutuar mbi zhvillimet në rajon dhe mënyrat për të rritur sigurinë dhe stabilitetin e tij.
Ministri i Jashtëm saudit dhe homologu i tij nga Omani, Badr Albusaidi, gjithashtu shqyrtuan në telefon zhvillimet rajonale dhe përpjekjet e përbashkëta që synojnë arritjen e sigurisë dhe stabilitetit në të gjithë rajonin, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve SPA.
Bin Farhan dhe kryeministri dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, diskutuan mbi përpjekjet për të promovuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon, tha SPA.
Ky takim diplomatik erdhi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump zbuti retorikën e tij ndaj Iranit gjatë fjalimeve në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën vonë. Trumpi tha se ishte informuar se ekzekutimet në Iran ishin ndalur, por paralajmëroi se “nëse diçka e tillë ndodh, të gjithë do të trishtohemi”.
Frika është rritur ditët e fundit për një sulm të mundshëm të SHBA-së ndaj Iranit, ku protesta antiqeveritare kanë ndodhur që nga fundi i muajit të kaluar për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike në vend.
Të mërkurën, transmetuesi publik i Izraelit raportoi se vlerësimet izraelite treguan se SHBA-ja mund të synojnë Iranin në ditët në vijim. Zyrtarët e qeverisë iraniane akuzojnë SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e asaj që ata e përshkruajnë si “trazira” dhe “terrorizëm” mes protestave të vazhdueshme.
Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar shifra zyrtare mbi viktimat ose të ndaluarit. Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA), një grup me seli në SHBA, vlerëson se mbi 2.600 njerëz janë vrarë, përfshirë protestues dhe personel sigurie.


