Kryediplomatja indoneziane në Bruksel për Gazën: Tregoni konsistencë në të drejtën ndërkombëtare

Retno Marsudi

Ministrja e Punëve të Jashtme të Indonezisë, Retno Marsudi, ka bërë thirrje për “konsistencë” në lidhje me të drejtën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për enklavën e rrethuar palestineze të Gazës, transmeton Anadolu.

“Respekti duhet të zbatohet edhe për Palestinën, për Gazën”, tha Marsudi në adresimin e saj në një forum të përbashkët të Bashkimit Evropian (BE) dhe Indo-Paqësorit në Bruksel.

Duke theksuar se Palestina është përballur me padrejtësi të vazhdueshme gjatë shtatë dekadave të fundit, Marsudi tha, “A do të vazhdojmë të heshtim… Ne jo (nuk do të heshtim)”.

Marsudi theksoi se gjithashtu është “shumë e rëndësishme që ne duhet të vazhdojmë punën” për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) dhe për popullin e Palestinës.

SHBA-ja Mbretëria e Bashkuar dhe shumë vende të BE-së i kanë shkurtuar fondet e agjencisë pas akuzave të ngritura nga Tel Avivi në mes të luftës së Izraelit në Gaza që ka rezultuar në vrasjen e mbi 27 mijë palestinezë që nga 7 tetori.

Duke apeluar tek liderët e BE-së, Marsudi tha, “Dëgjoni zemrën tuaj dhe bëni gjënë e duhur për të ndaluar mizoritë në Gaza, në Palestinë”.

“BE-ja dhe të gjithë ne, si mbështetës të vendosur të respektimit të ligjit ndërkombëtar, do të kemi gjithashtu një qëndrim të qëndrueshëm kur bëhet fjalë për Gazën”, tha ajo.

Duke theksuar rëndësinë e respektimit ndërkombëtar në një mënyrë “konsistente”, ajo tha se, “Pa respektimin e ligjit ndërkombëtar, të fuqishmit do të vazhdojnë të marrin gjithçka. Asnjë shtet nuk është mbi ligjin. ASEAN (Asociacioni i Kombeve të Azisë Juglindore) dhe BE-ja duhet të jenë në vijën e parë në respektimin e vlerave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.

Shefija e diplomacisë indoneziane gjithashtu theksoi se “përputhja midis vlerave dhe veprimit pasqyron sinqeritetin e bazës sonë morale pasi ajo tregon se kush jemi në të vërtetë”.

Ndërkohë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, falënderoi Marsudin që i kujtoi forumit “konfliktin e hapur” që është “thirrje për njerëzimin”.

Duke e quajtur konfliktin e vazhdueshëm në Gaza si “ngjarje shumë tragjike”, Borrell tha se “mund të bëhet më shumë” në lidhje me mbështetjen për popullin palestinez.