Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan tha se ka ardhur koha të ndërmerren hapa më të gjerë dhe më konkretë në marrëdhëniet dypalëshe me Turqinë, transmeton Anadolu.
Pashinyan mbajti konferencë për mediat pas një mbledhjeje të kabinetit. Sipas lajmit të “Armenpress”, Pashinyanit iu rikujtua deklarata e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan se në vitin 2026 do të ndërmerren disa hapa në marrëdhëniet dypalëshe.
Në përgjigje, kryeministri armen tha se “Brenda kuadrit të dialogut tonë dypalësh, tashmë ka ardhur koha për hapa jo vetëm simbolikë madje më të gjerë dhe më konkretë. Shpresoj që këto hapa do të realizohen”.
Pashinyan theksoi se se Armenia dhe SHBA-ja kanë përgatitur një dokument që përcakton detajet strategjike të “Rrugës Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar” (TRIPP), e njohur edhe si “Korridori i Zangezur-it”, dhe tregoi se punimet në terren do të shihen nga gjysma e dytë e vitit 2026 e tutje.
Kryeministri armen tha se pret që projekti hekurudhor të jetë hapi i parë në këtë drejtim. Ai shtoi se Jerevani po punon për të siguruar infrastrukturë moderne dhe pajisje të teknologjisë së përparuar në kufij dhe pika doganore dhe se këto do të përdoren në kufijtë Armeni-Azerbajxhan, Armeni-Gjeorgji, Armeni-Iran dhe Armeni-Turqi.
Pashinyan shprehu shpresën e tij se në të ardhmen e afërt do të ndërmerren hapa për të zhvilluar tregtinë dypalëshe midis Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe për të siguruar eksportin në këtë vend.





