Sipas një raporti mediatik, kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel akuzohet për plagjiaturë në lidhje me tezën e tij universitare.
Bettel ka reaguar ndaj akuzave duke deklaruar se ”nga këndvështrimi i sotëm, e kuptoj se duhej bërë ndryshe”.
Ai e shkroi punimin më shumë se 20 vjet më parë gjatë studimeve të tij në Universitetin e Nancy në Francë.
”Me sa më kujtohet, unë e bëra atë sipas njohurive dhe besimit tim në atë kohë”, vazhdoi ai.
Bettel ka reaguar të mërkurën ndaj një raporti të publikuar nga revista online Reporter.lu.
Raporti akuzon kryeministrin për përdorimin e teksteve të huaja pa përmendur burimin 54 nga 56 herë (96 për qind) në punimin e tij të vitit 1999 mbi reformat e mundshme të sistemit zgjedhor për Parlamentin Evropian.
”Unë i besoj plotësisht Universitetit të Nancy për të gjykuar nëse vepra në fjalë i plotëson kriteret e asaj kohe. Nëse jo, padyshim që do të pranoj një vendim”, theksoi kryeministri. /atsh




