Kryeministri i Indisë, Modi bisedë telefonike me presidentin rus Putin

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të “India Times”, në një deklaratë nga Zyra e Kryeministrisë thuhet se kryeministri Modi i ka thënë presidentit Putin se dialogu dhe diplomacia janë rruga e vetme e përparimit në çështjen e luftës Rusi-Ukrainë.

Në deklaratë thuhet se liderët shqyrtuan drejtimet e ndryshme në marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë bashkëpunimin në çështjet për energjinë, tregtinë, investimet, mbrojtjen, sigurinë dhe fushat e tjera.

Dy liderët janë dakorduar të qëndrojnë në komunikim të rregullt, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se Modi ka potencuar se India pret me padurim që dy vendet të punojnë së bashku gjatë presidencës së Organizatës për Bashkëpunim të Shangait.