Kryeministri libanez: Askush nuk është i interesuar të hapë një front të ri lufte nga Libani

Najib Mikati

Sipas kryeministrit të Libanit, Najib Mikati, asnjë palë nuk është e interesuar të hapë një front të ri luftarak nga Libani jugor, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ‘NNA’, kryeministri Mikati në një takim me zyrtarët lokal tha se “askush nuk ka interes të ndërmarrë një aventurë lufte duke hapur një front lufte në Libanin jugor, sepse libanezët nuk janë në gjendje ta përballojnë atë”.

“Rajoni në tërësi është në një situatë të vështirë dhe askush nuk mund ta parashikojë se çfarë mund të ndodhë… por ajo që është e sigurt është se Izraeli po kërkon të shtojë provokimet e tij”, tha Mikati.

Ai konfirmoi se qeveria e tij është në kontakt me disa “aktorë të shqetësuar” për ta mbajtur të qetë situatën në Liban dhe për t’u distancuar nga “pasojat e luftës së vazhdueshme në Gaza”.

Dhjetë ditë pas konfliktit me grupin palestinez Hamas, bombardimet izraelite dhe bllokada e Rripit të Gazës kanë vazhduar, me mbi 1 milion njerëz të zhvendosur, pothuajse gjysma e popullsisë së Gazës.

Gaza po përjeton një krizë të tmerrshme humanitare pa energji elektrike, derisa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë, ndërsa civilët ikin në jug pas paralajmërimit të Izraelit për të evakuuar zonat veriore.

Luftimet filluan kur Hamasi më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm shumë-dimensional, përfshirë një breshëri lëshimesh të raketave dhe infiltrimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit. Grupi tha se sulmi ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa dhe rritjes së dhunës së kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza është rritur në 2.750, përfshirë 750 fëmijë, ndërkohë në Izrael janë vrarë 1.300 persona.