Kryeministri pakistanez, Sharif dëshiron marrëdhënie paqësore me Indinë

Kryeministri i ri i Pakistanit, Shahbaz Sharif deklaroi se vendi i tij dëshiron marrëdhënie paqësore dhe bashkëpunuese me Indinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në Twitter, kryeministri Sharif falënderoi kryeministrin indian, Narendra Modi që e uroi atë për postin e tij të kryeministrit.

Duke theksuar se vendi i tij dëshiron marrëdhënie paqësore dhe bashkëpunuese me Indinë, Sharif tha se zgjidhja paqësore e problemeve të vazhdueshme është e domosdoshme, përfshirë Xhamu Kashmirin.

Ai tha se sakrificat e Pakistanit në luftën kundër terrorizmit janë të njohura. “Le të ndërtojmë paqen dhe të fokusohemi në zhvillimin socio-ekonomik të popullit tonë”, tha Sharif.

– Modi e uroi Sharifin

Kryeministri indian, Modi uroi Shahbaz Sharifin, udhëheqësin e Ligës Muslimane të Pakistanit-Nawaz (PML-N), i cili dje u zgjodh kryeministër në Asamblenë Kombëtare të Pakistanit.

“Urojmë Mian Mohammed Shahbaz Sharif për zgjedhjen e tij si kryeministër i Pakistanit. India kërkon paqe dhe stabilitet në një rajon pa terror, në mënyrë që të mund të fokusohemi në sfidat e zhvillimit dhe të sigurojmë mirëqenien e popullit tonë”, shkroi Modi në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

Shahbaz Sharif, vëllai i Nawaz Sharif, i cili shërbeu si kryeministër për tre mandate në vend, mori mbështetjen e shumicës absolute me 174 vota në zgjedhjet e mbajtura dje.

Sharif u betua para ushtruesit të detyrës së presidentit dhe kryetarit të Senatit, Mohammad Sadik Sanjranit. /aa