Kryeministri palestinez: Dëshirojmë përfundimin e pushtimit dhe të formojmë shtetin e Palestinës

Mohammad Shtayyeh

Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh, theksoi se dëshirojnë të fitojnë lirinë e tyre dhe të formojnë shtetin e Palestinës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate me shkrim nga Kryeministria e Palestinës, Shtayyeh, mori pjesë në një takim që Qendra Internacionale Nizami Ganjavi zhvilloi nëpërmjet video-konferencës lidhur me të tashmen dhe të ardhmen e Palestinës dhe Lindjes së Mesme.

Në një fjalim të mbajtur në këtë takim, Shtayyeh vuri në dukje se i mirëpresin të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e problemit Palestinë-Izrael në drejtim të rezolutave ndërkombëtare.

“Është koha e duhur për t’i dhënë fund pushtimit para se të kalohet në një shtet të vetëm, drejt shtetit apartheid. Ne dëshirojmë përfundimin e pushtimit dhe formimin e shtetit të Palestinës në kufijtë e vitit 1967 dhe jo vazhdimin e situatës aktuale”, deklaroi Shtayyeh duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të shmangë dështimin në formulën e zgjidhjes me dy shtete.

Shtayyeh tërhoqi vëmendjen se përpjekjet për paqe duhet të jenë në një kuadër të caktuar kohor, me qëllim të mirë dhe mbi baza të qarta, elementë këto të cilët nuk kanë qenë të pranishme në përpjekjet e mëparshme të SHBA-së për këtë çështje.

Kryeministri palestinez tha se administrata e re e SHBA-së ka formuar sërish marrëdhënie me Palestinën dhe se do të rifillojë ndihmat për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara të Ndihmës për Refugjatët Palestinezë (UNRWA).

Shtayyeh shtoi se Palestina do të mbetet çështja kryesore në rajon pavarësisht të gjitha përpjekjeve që janë bërë nga qeveria e mëparshme izraelite për të ulur rëndësinë e çështjes palestineze. /aa