Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka deklaruar se lufta në Iran është e “ndërlidhur” me konfliktet në të gjithë Lindjen e Mesme, përfshirë Gazën, Bregun Perëndimor dhe Libanin, si dhe ka bërë thirrje për një përgjigje të unifikuar evropiane para një samiti të BE-së, transmeton Anadolu.
Duke folur para takimit, Sanchez e përshkroi situatën si “një moment shumë përcaktues” për BE-në, duke theksuar nevojën për të dërguar “një mesazh të qartë” se Evropa qëndron për multilateralizmin dhe ligjin ndërkombëtar.
Ai kritikoi ashpër konfliktin, duke e quajtur luftën në Iran “të paligjshme” dhe duke theksuar se “nuk ka asnjë arsye pas saj”. Ai paralajmëroi se ajo po shkakton dëme të mëdha për civilët dhe po rrit zhvendosjen, si dhe po ndikon në stabilitetin ekonomik.
Ai u bëri thirrje liderëve të BE-së të qëndrojnë të bashkuar dhe të prioritizojnë një zgjidhje diplomatike për krizën në përshkallëzim.
“Duhet të jemi të përfshirë dhe të angazhuar në një zgjidhje diplomatike për këtë përshkallëzim të luftës në Iran dhe në gjithë Lindjen e Mesme. Besoj se kjo luftë është e ndërlidhur me konfliktet që kemi parë vitet e fundit, sa i përket Gazës, gjithashtu Bregut Perëndimor dhe natyrisht asaj që po ndodh në Liban”, tha Sanchez.
Kryeministri spanjoll gjithashtu tha se qeveria e tij po përgatit masa për të përballuar ndikimin ekonomik të konfliktit, përfshirë mbështetje për sektorët e prekur dhe politika afatgjata të lidhura me tranzicionin energjetik të Spanjës.
Sanchez theksoi se qeveria spanjolle, si dhe shoqëria spanjolle, e kanë dënuar luftën në Iran që në fillim, duke u shprehur: “Ne nuk e mbështesim”.




