Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez mbrojti kundërshtimin e Madridit ndaj luftës që përfshin Iranin, duke thënë se qëndrimi “jo luftës” i qeverisë bazohet në parime dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare, transmeton Anadolu.
Në një intervistë të botuar sot nga “El Diario”, Sanchez tha se qëndrimi i Spanjës pasqyron qasje të qëndrueshme të politikës së jashtme dhe ka gjetur jehonë përtej vendit.
“Kur i thamë ‘jo luftës’, pati një valë krenarie që jemi spanjollë jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe midis shumë shoqërive në të gjithë botën”, tha ai.
Sanchez hodhi poshtë kritikat nga partitë opozitare që akuzojnë qeverinë e tij se ka mbajtur një qëndrim zgjedhor kundër konfliktit.
“Kjo luftë nuk u provokua nga Spanja. Ishte luftë e nxitur në mënyrë të njëanshme nga dy vende”, tha ai duke shtuar: “Ne nuk do ta zgjidhim situatën e paqëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme me një paligjshmëri kaq flagrante”.
Ai hodhi poshtë shqetësimet lidhur me hakmarrjen e mundshme të SHBA-së për refuzimin e Spanjës për të mbështetur konfliktin.
“Të jesh aleat i SHBA-së nuk do të thotë të thuash po për gjithçka”, tha Sanchez duke shtuar se mbrojtja e së drejtës ndërkombëtare ka udhëhequr qëndrimin e Spanjës në konfliktet e fundit, përfshirë Ukrainën dhe Gazën.
Udhëheqësi spanjoll argumentoi se Evropa duhet të vazhdojë të mbrojë një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla. “Bota po ndryshon, por vlerat dhe parimet e Bashkimit Evropian nuk duhet të ndryshojnë”, tha ai.
Sanchez bëri thirrje për reforma në sistemin e Kombeve të Bashkuara, përfshirë eliminimin e të drejtës së vetos në Këshillin e Sigurimit për ta bërë atë më përfaqësues.
“Ne duhet t’i japim fund të drejtës së vetos në OKB”, tha ai.
Kryeministri spanjoll tha se është e çuditshme që Rusia dhe SHBA-ja mbeten anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit ndërsa sipas tij, të dy vendet “po sjellin shumë paqëndrueshmëri në botë me luftërat në Ukrainë dhe në Iran”.
Ai potencoi se reforma duhet të zgjerojë përfaqësimin tek aktorët kryesorë globalë, përfshirë Indinë, vendet afrikane, Kinën dhe Brazilin, për ta bërë sistemin e OKB-së më përfaqësues.
