Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut diskuton thellimin e partneritetit strategjik me ShBA-në

Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut diskuton thellimin e partneritetit strategjik me ShBA-në

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Uashington, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka zhvilluar takim me Daniel J. Loton, Zëvendësndihmëssekretar në Zyrën për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit.

Sipas një njoftimi të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në takim është riafirmuar partneriteti i palëkundur ndërmjet dy vendeve, i ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike, angazhimin për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, si dhe përkushtimin për paqe dhe stabilitet ndërkombëtar.

Bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet aktuale gjeopolitike, sfidat e sigurisë dhe rolin konstruktiv të Republikës së Maqedonisë së Veriut si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Kryetari Gashi ka informuar mbi përpjekjet e vazhdueshme për integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së në procesin e reformave.

Gashi në takim është shoqëruar nga nënkryetarët e Kuvendit, Antonio Milloshoski dhe Jovan Mitreski, si dhe nga delegacioni qeveritar i Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga ministri Stefan Andonovski, Zllatko Pirinski dhe Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev.

Në vijim të takimeve në Washington, Gashi ka pasur edhe një takim miqësor me Philip Reeker, ish-ambasador i ShBA-së në Maqedoninë e Veriut, me të cilin kanë diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe thellimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Kuvendi tha se takimet konfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit transatlantik.