Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Ghalibaf, ka akuzuar SHBA-në se ka kryer shkelje të mëdha të marrëveshjes së armëpushimit mes dy vendeve, të njohur si Memorandumi i Mirëkuptimit i Islamabadit, pas sulmeve të reja amerikane kundër Iranit, transmeton Anadolu.
Në një postim në rrjetin social amerikan X, Ghalibaf renditi ato që i përshkroi si shkelje amerikane, përfshirë “kërcënimet e vazhdueshme për sulme të tjera”, rikthimin e sanksioneve ndaj naftës, sulmet në jug të Iranit dhe vazhdimin e veprimeve ushtarake izraelite në Liban.
“Shkelje të mëdha të Memorandumit të Mirëkuptimit nga SHBA-ja. Epoka e ngacmimit dhe shantazhit ka përfunduar. Ajo nuk çon askund. Ne nuk do të dorëzohemi”, shkroi ai.
Deklarata erdhi pak pasi ushtria amerikane njoftoi se kishte përfunduar një raund të ri sulmesh ndaj Iranit, duke goditur më shumë se 80 objektiva në përgjigje të sulmeve të fundit të Teheranit ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se sulmet u kryen “si një përgjigje e menjëhershme ndaj sulmeve të Iranit ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit”.





