KS-OKB thërret seancë urgjente për ngjarjet në Gaza

Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) sot do të mbajë një seancë të jashtëzakonshme për zhvillimet e fundit në Gaza, ku trupat izraelite të premten vranë 15 palestinezë, raporton Anadolu Agency (AA).

Seanca e mbyllur do të mbahet me kërkesë të Kuvajtit, anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Numri i palestinezëve të cilët u vranë nga ushtarët izraelitë në Rripin e Gazës, të premten, në “Ditën e Tokës”, ka arritur në 15, konfirmoi Ashraf al-Qidra, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Rreth 1.400 palestinezë u plagosën në sulmet ndaj demonstruesve në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Palestinezët mbajtën demonstratë masive nën moton “Marshimi i Madh për Kthimin” në kufirin e Rripit të Gazës dhe Izraelit, ku në gjashtë zona të ndryshme u mblodhën dhjetëra mijëra njerëz.

Me rastin e “Marshit të Madh për Kthim”, në zona të ndryshme kufitare janë ngritur edhe tenda. Pala palestineze pretendon se këto janë demonstrata paqësore. Megjithatë, komandanti i ushtrisë izraelite Gadi Eisenkot ka thënë se në rast të “sulmeve mbi infrastrukturën izraelite, ushtarëvë u është dhënë leja për përdorimin e armëve”.

Që nga viti 2007, Rripi i Gazës është nën bllokadën izraelite dhe egjiptiane që ka shkatërruar ekonominë duke privuar rreth dy milionë banorë nga ushqimet bazë.