Zoti nuk pyetet me “ku”, sepse “ku-ja” është kategori e krijuar (e ndërlidhur me vend dhe kohë), ndërsa Zoti është Krijuesi i vendit dhe kohës, pra Atë nuk e kufizon koha dhe vendi.
Ku-ja’ i përket botës së kufijve dhe përmasave; Zoti është mbi kufij e përmasa, sepse është Burimi i tyre.
Zoti nuk përthekohet, por Ai është që ka përthekuar çdo gjë me dije, me fuqi dhe me meshira, ashtu siç tha: “Allahu ka përfshirë çdo gjë.”
Zoti nuk shihet me sy, as nuk preket me dorë, por zemrat, kur pastrohen, e shohin Atë në çdo gjë:
në rregullin e krijimit, në drejtësinë e sistemit, në rrahjen e jetës, në çastin e lutjes, në sinqeritetin e pendimit.
Zoti nuk kufizohet në drejtim, as nuk matet me distancë, por Ai është më afër teje se vetja jote, ashtu siç tha: “Ne jemi më afër atij se damari i qafës.”
Zoti nuk njihet me shqisa, por njihet me dritën, dritë që Ai e hedh në zemrën e atij që e ka pastruar veten, ashtu siç tha: “Nuk e prek atë vetëm i pastruari.”
Prandaj, nëse dëshiron ta dish ku është Zoti, pastro zemrën tënde dhe shiko në krijesat e Tij:
do ta gjesh në çdo gjë, pa qenë Ai gjë,
do ta dallosh dritën e Tij, pa e përfshirë dot,
do të përulesh, do të qash dhe do të kuptosh se Ai është e vërteta.
Hoxhë Halil Avdulli









