Ballina Autorë Opinione “Kundër gjuhës së urrejtjes dhe paragjykimeve Islamofobe në shoqëri”

“Kundër gjuhës së urrejtjes dhe paragjykimeve Islamofobe në shoqëri”

Milazim Krasniqi

Në fyerjet e tyre të çartura, islamofobët në Kosovë, quajnë turk e arab secilin që përpiqet të mbrojë vlerat e besimit islam të shumicës së shqiptarëve. Edhe kjo gjë tregon se sa të verbër janë islamofobët nga urrejtja raciste që ua ka errësuar jo pak arsyen. Nuk kuptoj pse mund të jetë fyerje për dikend, nëse e quan turk ose arab. Në histori turqit janë themeluesit e njërës nga perandoritë më të mëdha që ka njohur bota. Aktualisht kombi turk është njëri nga kombet më të fuqishme të botës. Vetëm Stambolli i tyre popullohet nga rreth 17 milionë banorë dhe është njëri nga qytetet më të bukura e më të famshme të botës mbarë. Ndërsa, në historinë e re, ndihma e kombit turk për çlirimin e Kosovës ka qenë e dukshme në kuadër të NATO-s. Turqia e sotme është e shpallur nga qeveria shqiptare partner strategjik i Shqipërisë. Nga ana tjetër, arabët në histori janë bartësit e mesazhit të fundit Hyjnor, pra gjuha e tyre është gjuha në të cilën u vulos Shpallja finale për mbarë njerëzimin. Kontributi i arabëve edhe në iluminimin e kontinentit tonë evopian ka qenë i jashtëzakonshëm. Edhe sot gjuha arabe është gjuhë në të cilën ezani kumbon natë e ditë në të katër anët e planetit. Arabët aktualisht po kalojnë nëpër skëterrën e krizave gjeopolitike, politike, ideologjike, morale e nacionale, por ata prapë mbeten një faktor i rëndësishëm gjeopolitik, politik dhe ekonomik në botën e sotme, së paku me pozicionin gjeografik dhe me resurset e tyre të mëdha energjetike.
Atëherë, pse një islamofob shqiptar, brekët e të cilit nuk ka ku t’i zërë as qeni, si do të thoshte Sami Frashëri, ndihet në epërsi ndaj turkut e arabit?! Me çka?! Me asgjë, përveç me urrejten raciste. Vlerat tona nacionale, aq sa janë, janë produkt i mundit të brezave të tërë të shqiptarëve, duke përfshirë edhe muslimanët shqiptarë dhe janë themeli mbi të cilin ne e kemi formësuar identitetin tonë nacional, si ideal i ekzistencës në mesin e kombeve të tjera të lira të botës. Por, jo si si kundërshti fanatike raciste.
Nga ana tjetër, është e ditur se përkatësia një kombi, nuk të bën vetvetiu as më të mirë, as më të ndershëm, as më të mençur. Brenda secilit komb mund të gjenden individë po edhe organizata me prirje të mbrapështa. Por, përgjegjësia e tyre është gjithmonë e adresuar qartë e nuk mund t’i faturohet një kombi të tërë e as një feje të tërë.

Milazim Krasniqi

Titulli i vendosur nga redaksia mesazhi.com