Kur fundamentet e fesë diskutohen në kafe të rakisë, çka më tutje…

Foto ilustrim

Sot, derisa po rrija në zyrë, në një prej kafiterive ngjitur po dëgjoja një diskutim për fenë. Aq larg kishin shkuar në diskutim, dhe aq gjëra të ndjeshme flisnin saqë mendova se paska hyrë ndonjë prej hoxhallarëve më eminent të qytetit.

Kureshtja nuk më la të qetë, dhe vjedhurazi u mundova të shikoj se për kë bëhej fjalë. Kush ishte ai hoxhë që kishte aq guxim të futej në një kafe të rakis dhe të shpjegojë fundamentet e fesë.

Kur pash, çfarë të shohësh…

Një burrë i moshuar, kishte vënë para vetës një gotë me raki, një kafe turke, cigaret dhe ishte lëshuar në shpjegimin e fesë. Aq larg shkonte saqë shpjegonte teori që nuk janë shpjeguar as nga dijetarët e koloset më të mëdhenj të Islamit. Kishte dëgjuar disa fjalë rreth teorisë së atomit, zbërthimit të tij dhe atë e ndërlidhte me çështjet fetare.

Ke parasysh, ashtu siç ishte bërë tullugu i tymit në kafenen e errët dhe të vogël të rakis, ashtu ishte edhe personaliteti dhe mendimi i zotërisë në fjalë.

Mendova me vete…

A thua mund të flitet për çështje të kardiokirurgjisë që ka të bëjë me aspektin e shëndetit fizik, apo të neurokirurgjisë që ka të bëjë me aspektin mendorë në një kafene dhe nga njerëz të tillë…?

Padyshim që nuk mund të flitet ngase për çështje të tilla askush nuk merr guxim. Të gjithë i referohen specialistëve të fushës. Por, pse flitet për çështjet fetare që rrezikojnë shëndetin shpirtëror, mendor, e fizik në një ambjent të tillë…?

Kush ua ka dhënë këtë të drejt dhe nga e morën këtë guxim që kaq lirshëm të shtjellojnë, të komentojnë e të vlerësojnë fjalët e Allahut xh.sh…?

Një gjendje e tillë tregon më së miri gjendjen dhe nivelin mendorë, intelektual, kulturor dhe arsimorë të shoqërisë tonë.

Një gjendje e tillë nuk lë hapsirë të mendosh më shumë se përse tek ne ende diskutohet për çështjen e shamisë, praktikimin e fesë, edukatës fetare, etj.

Është shumë normale që shkarravina të tilla të paraqitura si mendime apo si fakte në “debate” të ndryshme mediatike kanë për të ndodhur edhe për shumë vite.

Po po…

Kanë për të ndodhur sepse referencë akademike, e intelektuale e shumë analistëve janë pikërisht shpjeguesit e fesë që qëndrojnë në të tilla ambiente si kjo tek kafja e rakisë.

Të nderuar, çdo gjë duhet të adresohet në adresën e duhur përndryshe çdo rezultat, sado që mund të jetë i qëlluar, është gabim. Kjo pasi që kushdo që flet për një çeshtje duke mos qenë kompetent i asaj çështje ai veçse ka gabuar.

Andaj, le të vëmë në praktikë fjalën e popullit që thotë se: Punës së huaj, vetëm puna e mbarë thuaj…

Autor
Mr. Artan Musliu