Ballina Artikuj Kur i kujtova (këto gjëra), iu LAKMOVA.

Kur i kujtova (këto gjëra), iu LAKMOVA.

Hoxhë Enis Cakaj

Shumë prej veprimeve që dikur i bëri Ibrahimi (alejhi selam) dhe familja e tij, Allahu xh.sh. i përjetësoi duke na urdhëruar që edhe ne t’i kryejmë ato, jo vetëm si adhurim, por edhe si përkujtim dhe mësim për jetën tonë të përditshme.

Ai e ndërtoi Qaben me djalin e tij, Ismailin (alejhi selam), dhe Allahu xh.sh. na mësoi që ta nderojmë këtë vend duke bërë tavaf rreth saj, por duke adhuruar vetëm Atë.

Gruaja e tij, Haxherja, vrapoi mes Safas dhe Mervas në kërkim të ujit për birin e saj, Ismailin, dhe Allahu xh.sh. e përjetësoi këtë veprim me sajin (ecjen) që ne bëjmë në haxh dhe umre.

Ibrahimi (alejhi selam) u përgatit ta therë djalin e tij (Ismailin a.s.) në bindje ndaj urdhrit të Allahut xh.sh., dhe Allahu xh.sh. na urdhëroi neve të therim kurban, për të kujtuar këtë akt të bindjes dhe sakrificës.

Po ashtu, ai hodhi gurë ndaj shejtanit, dhe ne i hedhim gurët për të përforcuar vendosmërinë tonë kundër tij, cytjeve të tij dhe mëkatit.

Këto nuk janë vetëm rite fizike, ato janë simbole të besimit, durimit, sakrificës dhe nënshtrimit ndaj Zotit. Nëpërmjet tyre, ne jo vetëm që afrohemi te Allahu xh.sh., por edhe rifreskojmë në zemrat tona shembullin madhështor të Ibrahimit (alejhi selam) dhe familjes së tij, një shembull që duhet të na udhëheqë në jetën tonë.

Zot i Madh, na mundëso që të jemi dhe të kemi familje që, me veprimet tona, të jemi shembull dhe motivim për të mirë për të tjerët!

Hoxhë Enis Cakaj