Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kur pushteti shfaqet në xhami: Zoti i ftilloftë!

Kur pushteti shfaqet në xhami: Zoti i ftilloftë!

Të dashur me besimin e besimtarët vetëm nëse nuk iu del kundër

Numri dy i PS-së, një ndër besnikët më të zellshëm të Edi Ramës deri më sot, të cilët janë larg nga njëri-tjetri në shumëçka, por që bashkohen në patologjinë për pushtet dhe paskrupullsinë në ushtrimin e keq të tij, ka përcjellë për publikun një foto duke pozuar në ditë xhumaje në xhami.

“Mbarësi e xhuma te pranuar i uroj të gjithë besimtarëve këtë ditë bekuar, nga Xhamia e Qytetit të Golemit”, shkruan ai, ku më e para Golemi nuk është e nuk ka qenë ndonjëherë qytet; ka qenë diku mes fshatit dhe qytezës, por më tepër fshat.

E dyta, nuk sqaron më tej nëse aty është thjesht për arsye besimi apo për arsye politike. Më gjasë për këtë të dytën, pasi nëse do ishte për të parën nuk kishte pse pozonte.

E treta, edhe ai si Rama, sapo u është cënuar pushteti, nuk e kanë patur për gjë që të shënjestrojnë hoxhallarë që kanë denoncuar mbrapshtitë e tyre. Një nga ata është aty afër, hoxha i Durrësit Mustafa Tërniqi.

Për ta, je burrë i miri po u bëre fresk, ose po heshte kur ata bëjnë zullum. Po fole kundër, nga mik bëhesh direkt armik.

E fundit, gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Taulant Ballës dhe çdokujt si ai, edhe vetë Edi Ramës, është që Zoti t’i ftillojë e t’jua ndriçojë arsyen, ose siç thuhet ndryshe në gjuhë islame, t’ju hapë gjoksin për ta parë të vërtetën, pranuar e jetuar më të. Ndryshe, bela për veten e bela për njerëzit do jenë. Por nëse një ditë belaja për njerëzit mbarron, ajo për veten vijon, deri në pafundësi. Është një bela që përcëllon, realisht kjo e jo metaforikisht. Dhë në mos Rama, të cilit gjyshja ia ka mësuar gabim botën tjetër, Taulant Balla e ka mëse të qartë këtë nga një rrethanë shoqërore; nga ca miq të ngushtë muslimanë që ia kanë treguar ca të vërteta, të kësaj bote dhe të tjetrës, drejt së cilës shkon pashmangmërisht çdokush, për të korrur atë që ka mbjellë.