Kur takohen feja dhe njerëzorja! (Muhamedi a.s. shembull)

Hoxhë Halil Avdulli

Pse kemi nevojë ndonjëherë të vendosim njerëzoren përballë pejgamberisë?

Në mënyrë që të paralajmërojmë për karakteristikat e pastërta njerëzore që Muhamedi alejhi selam ndan me njerëzit e tjerë, edhe pse dihet botërisht që kishte epërsi ndaj tyre.

Duke qenë se ishte kështu, na lumturon pa masë dhe na bënë të magjepsemi derisa e kujtojmë se ishte njëri nga ne, nga lloji i ynë. Kjo sigurisht na jep besim në vetët tona dhe na bënë të respektojmë vazhdimisht njerëzoren tonë, e cila në këtë rast arriti të avancojë deri në një shkallë kaq të lartë të edukatës.

Gjëja më e rëndësishme që e karakterizon biografinë e të Dërguarit të All-llahut, është fakti se ai ishte njeri i nderuar dhe i zgjedhur të pranojë shpalljen e Zotit, kjo duke mos e larguar atë nga natyra njerëzore (përveç takimit me botën melekore të shpalljes), duke mos e përzierë atë me mite të ndryshme, si dhe duke mos i mveshur atij asnjë element të hyjnisë.

Khalid Muhamed Khalid në librin e tij “Njerëzoret e Muhamedit”, numëron pesë vlerat themelore mbi të cilat Zoti e edukoi Muhamedin alejhi selam 40 vjet si Muhamed, e 23 vjet si Lajmëtar a.s.:

  1. Mëshira ishte qenësia tij.
  2. Drejtësia ishte ligji i tij.
  3. Dashuria ishte natyra e tij.
  4. Lartësimi i vlerave ishte misioni i tij.
  5. Zgjidhja e problemeve të njerëzve ishte formë e adhurimit të tij.