Një nga të vërtetat më të thella që Kurani zbulon për shpirtin njerëzor është se, sado larg të endet njeriu, diku thellë brenda vetes ai ende e njeh rrugën që e çon tek Allahu.
Ndoshta në ditët e rehatisë kjo rrugë mbulohet nga zhurma e jetës, nga ndjenja e fuqisë, nga pasuria, pozita, njerëzit dhe mundësitë që na rrethojnë. Njeriu fillon të besojë se ka shumë dyer ku mund të trokasë dhe shumë gjëra ku mund të mbështetet.
Por vjen një çast kur dyert mbyllen.
Shkaqet këputen.
Mundësitë shterojnë.
Fuqia tregon kufijtë e saj.
Dhe gjithçka që dukej si mbështetje, papritur bëhet e pafuqishme.
Atëherë zemra kujton Atë që, në të vërtetë, nuk e kishte harruar kurrë plotësisht.
I drejtohet Allahut.
Prandaj Kurani përshkruan njeriun në çastet e rrezikut duke thënë:
“Nëse na shpëton nga kjo, me siguri do të jemi prej falënderuesve.”
Imam Esh-Sheukani, Allahu e mëshiroftë, duke reflektuar mbi këtë kuptim, thotë se kjo dëshmon se njerëzit janë krijuar me prirjen për t’iu kthyer Allahut në vështirësi.
Kjo do të thotë se besimi nuk lind nga frika. Frika vetëm largon perdet që e mbulonin atë.
Kur njeriu mendon se është i fortë, mund të mashtrohet nga shkaqet. Por kur çdo shkak bie, ai fillon të shohë Përtej tyre: Atë që i krijon shkaqet, i drejton ato dhe vendos nëse ato do të sjellin dobi apo jo.
Por këtu fillon sprova më e madhe.
Jo kur je në vështirësi, por kur vështirësia kalon.
Sepse është e lehtë ta kërkosh Allahun kur nuk të ka mbetur askush tjetër. Pyetja është: A do të vazhdosh ta kërkosh edhe kur të të hapen përsëri të gjitha dyert?
Pikërisht këtu Kurani na paralajmëron për njeriun që, sapo shpëton, harron gjendjen e zemrës së tij gjatë sprovës.
Sikur vështirësia ta kishte kthyer për pak çaste te natyrshmëria e tij, ndërsa mirëqenia ta kishte mbuluar përsëri atë.
Besimtari përpiqet të mos e humbasë atë zemër që kishte në ditët e vështira.
Ta kujtojë Allahun në qetësi, ashtu siç e kujton në stuhi.
Ta lutë kur është i sigurt, ashtu siç e lut kur ka frikë.
Ta falënderojë kur ka gjithçka, ashtu siç i përgjërohet kur nuk ka asgjë.
Sepse kulmi i besimit nuk është vetëm ta gjesh Allahun kur humbet gjithçka; është të mos e humbasësh Atë kur të jepet gjithçka.
Të jetosh me bindjen se, pas çdo dere që hapet, është Ai që e hapi; pas çdo mundësie është Ai që e mundësoi; pas çdo mirësie është dhuntia e Tij.
Dhe atëherë njeriu nuk ka nevojë që jeta t’ia rrëzojë mbështetjet e rreme për t’u kthyer tek Allahu.
Ai tashmë e di:
Në mirëqenie dhe në vështirësi, në shëndet dhe në sprovë, kur dyert janë të hapura dhe kur të gjitha mbyllen, streha e fundit, por edhe e para, është Allahu.
E përshtatur
Hoxhë Rufat Sherifi








