Kurani famëlartë i mahnit shkencëtarët

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Mrekullia e Kuranit e manifestuar në dukuri të ndryshme shkencore, është tema për të cilën bënë fjalë shkrimi në vazhdim. Në të vërtetë, argumentet e urtësisë së jashtëzakonshme janë të dukshme në çdo gjë të gjallë që njeriu e vëzhgon. Urtësia, plani dhe projektimi i jashtëzakonshëm që mbizotërojnë në gjithë natyrën, pasqyrojnë pa asnjë dyshim ekzistencën e Krijuesit, i Cili sundon mbi gjithçka. Ky është Allahu Hirmadh, i Cili i ka pajisur të gjitha gjallesat me karakteristika të jashtëzakonshme, duke ia treguar njeriut shenjat e qarta të ekzistencës dhe të fuqisë së Tij.

Fjalët çelës: Kurani, famëlartë, mrekullia, njeriu, shkenca

Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëmadh thotë: “Ai është që ju krijoi, jua dhuroi të dëgjuarit, të parët dhe mendjen, kurse pak po e falënderoni.”(1)
Teknologjia e trupit tonë është më superiore se teknologjia që njerëzimi e ka prodhuar duke përdorur mbledhjen e informacioneve, eksperiencën dhe mundësitë.
Sot, duke studiuar veshin e njeriut, duke parë këtë vepër madhështore të konstruktuar, qartë e shohim edhe Konstruktorin Absolut.
Në shikim të parë veshi duket i thjeshtë, mirëpo pas laprës së veshit gjendet një strukturë fiziomorfologjike e përsosur dhe tejet delikate, e cila do t’i turpëronte edhe inxhinierinë më inventivë. Duke vepruar bashkërisht, struktura e veshit të jashtëm, të mesëm dhe të brendshëm kryejnë operacione në largësi mahnitëse dhe virtuoze.
Shkaku që kemi dy veshë është se ata formojnë një sistem stereo, i cili e mundëson identifikimin e vendit nga i cili vjen zëri, dhe që ta njohim se a lëviz ai burim.
Veprimi i përpunimit të zërit me vesh dhe qendrën në tru është aq i saktë, sa zëri që formohet afër njërit vesh e pastaj te veshi tjetër mund të njihen si zëra të ndryshëm, pra kur intervali në mes tyre është i vogël, siç është, për shembull, 30 mikrosekonda.
Virtuoziteti i veshit të njeriut është mahnitës dhe i pabesueshëm. Njeriu mund ta dëgjojë zërin e mushkonjës jashtë dritares, edhe pse forca e zërit të saj, pra që arrin te veshi ynë, nuk është më e madhe se një kuadrahonth vat. Sikur 100 kësi zëra (100.000.000.000.000.000) do të kombinoheshin, duke u kthyer në energji elektrike, energjia do të mjaftonte për një llambë për lexim.

Sensitiviteti mahnitës i veshit

Senzitiviteti i veshit është mahnitës. Lëvizja e membranës timpanike në ngacmimin e dëgjimit minimal të zërit me frekuencë 1.000 Hz është afro e 1.000 milionta pjesë e centimetrit, shumë më e vogël sesa diametri i atomit të hidrogjenit. Lëvizjet e membranës basilare në ngacmime të njëjta janë njëqind herë më të vogla – përafërsisht sa madhësia e bërthamës së atomit. Kjo
paraqet kufirin e fundit të performansës.
Sikur të rritej më tepër ndjeshmëria i veshit, do të ishim të vetëdijshëm në bombardimin konstant të membranës timpanike me molekulat e ajrit.
Mirëpo, edhe me limitin ekzistues, është interesant se ne nuk e dëgjojmë rrjedhën e gjakut tonë nëpër enët e vogla të gjakut në membranën e timpanit. Kjo ndodh sepse veshi ka aftësi t’i injorojë sinjalet që janë të pranishme në mënyrë konstante.
Kështu veshi po ashtu e bën njeriun qenien më muzikale. Pa asnjë ushtrim muzikor jemi në gjendje ta dallojmë tonin A në piano nga toni identik i violinës.
Mund ta dallojmë edhe kombinimin e notave të ndryshme muzikore, karakteristike për secilin instrument që prodhon nota. Veshi është në gjendje ta hedhë zhurmën duke zgjedhur njëkohësisht vetëm një zë të ngjashëm.
Madje edhe gjatë gjumit veshi vazhdon të funksionojë me mundësi të pabesueshme, sepse truri është në mundësi të interpretojë dhe zgjedhë sinjalet që ia përcjell truri, kështu që njeriu mund të bëjë gjumë i qetë në mes të komunikacionit të zhurmshëm dhe në zhurmën e televizorëve në fqinjësi, dhe njëkohësisht të zgjohet në një zë të lehtë të orës.
Qeni që leh, goma e makinës në lëvizje, hapat – të gjitha mund të identifikohen. Në realitet veshi normal mund të dallojë afro 400.000 zëra.
Veshët, pos që janë një sistem stereofonik i dëgjimit me një siguri të lartë, po ashtu janë përgjegjës për mbajtjen e baraspeshës së trupit. Kjo është e siguruar me ndihmën e dy sistemeve të vendosura në veshin e brendshëm. Nga të gjithë organet e trupit, pak janë që mund të arrijnë shumë në hapësirë kaq të vogël, pra sa veshi. Sikur inxhinieri të kishte mundësi ta kopjonte funksionin e veshit, do t’i duhej përafërsisht një inç kub i sistemit dëgjues, i cili do të përfshinte praninë e rezistuesit me induksion, analizatorin mekanik, me mundësi të gjëra, reale, mobile, drejtues shumëkanalësh për transmetimin e energjisë mekanike në atë elektrike, sistem për mbajtjen e bilancit hidraulik delikat dhe sistem komunikues dydrejtimesh. Mirëpo, edhe nëse do të kishte sukses, nuk do të arrihej të njihej tamam funksioni mahnitës i veshit.
Shumë zogj dhe kafshë kanë mësuar që njëra-tjetrës t’ia përcjellin sinjalet e tyre me zërin që e kanë, sinjalet e njohjes dhe kujdesit. Mirëpo, vetëm ne, njerëzit, kemi mësuar t’i lidhim mendimet abstrakte me zëra, duke lidhur fjalët dhe prodhuar gjuhët që mund t’i përdorim si mjet komunikimi me përvojën e kaluar të ideve dhe planet për ardhmëri.
Sot në botë kemi shumë gjuhë (afro 6000). Le ta krahasojmë cilësinë dhe teknologjinë e lartë të pranishme në vesh dhe në tru, me teknologjinë e prodhuar prej njeriut! Ashtu si në rastin e imazheve, pra, janë shpenzuar dekada duke u përpjekur të gjenerohen zëra të ngjashëm me origjinalin.
Rezultatet e këtyre zbulimeve janë magnetofoni, sistemi zanor me siguri të lartë, sistemi të analizimit dhe i përpunimit të tingujve me anë të ndarjes së tyre sipas frekuencave. Megjithëkëtë, teknologjia e lartë me mijëra ekspertë që punojnë pa pra nuk ka mundur të prodhojnë një pajisje të atillë që do ta arrinte cilësinë e perceptimit të tingullit sikurse është veshi.
Mendoni për sistemet e teknologjisë së lartë “Hi-Fi”, që janë prodhuar nga kompanitë më me emër në industrinë e muzikës! Edhe në këto pajisje zëri i regjistruar humb diçka nga cilësitë e tij, sepse kur ju e hapni pajisjen, dëgjoni gjithmonë një tingull të caktuar para se të fillojë të dëgjohet muzika. Pra, është e qartë se veshi dhe të gjitha pjesët e tjera të trupit të njeriut, janë produkt i krijimit madhështor. Prandaj, është e qartë se përgjegjësia jonë themelore e përdorimit të veshit, syrit dhe trurit është për ta parë ekzistencën e Allahut, fuqinë dhe dijen e Tij të pafund. Duke u shërbyer me begatitë e shqisave dhe aftësitë hulumtuese të universit të pafund, do të mësojmë edhe më shumë për ligjet fizike që i drejtojnë ato.
Deri tani dimë se ato ligje janë fikse dhe në konsistencë, dhe që vlejnë për çdo pikë të universit. Kjo shkon në favor të faktit se është një Krijues, dhe se sistemi i Tij është i pandryshuar, siç aludon ajeti i Kuranit fisnik:
“…Në ligjin e Allahut nuk mund të gjesh ndryshim”.(2)

Imazhi i fituar në sy

Imazhi i fituar në sy është kaq i mprehtë dhe i qartë, saqë nuk ka arritur ta kopjojë as teknologjia e shekullit tonë. Për shembull, shikoni në librin që po e lexoni, pastaj ngrini kokën dhe shikoni përreth! A keni parë imazhe kaq të mprehta dhe të qarta në një vend tjetër?! Edhe televizioni me ekranin më të avancuar në botë nuk mund të sigurojë imazhe aq të mprehta. Për më shumë se 100 vjet, mijëra inxhinierë janë munduar të prodhojnë një televizor tredimensional, i cili do të mund të arrinte cilësinë e shikimit të syrit. Ata kanë arritur të shpikin një sistem TV tredimensional, mirëpo ai nuk mund të shihet pa u vendosur një palë syze speciale.
Mu për këtë Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëmadh thotë: “A nuk ia dhamë Ne atij dy sy?!”(3)
I tërë syri, si organ periferik i receptorit optik, mund të krahasohet me aparatin fotografik (mirëpo është afro 3.000 herë më i ndjeshëm se kamera më precize), ku pjesa e parme e tejdukshme i lëshon dhe i thyen rrezet e dritës, pikërisht sikurse sistemi i thjerrëzave që i drejton fytyrat e objektit në film.
Rrezet e dritës, si dhunti e Allahut të Madhërishëm, i ngacmojnë kunjëzat dhe thupërzat me intensitet të mjaftueshëm. Ky ngacmim, që shkaktohet nga proceset biokimike, përcillet nëpërmjet nervit optik, deri në pjesët kortikale të trurit.
Me ndihmën e kunjëzave pranohet drita e ditës (me ngjyrë), ndërsa me ndihmën e thupërzave drita e muzgut (bardh e zi). Numri i atyre arrin në 130 milionë. Po ashtu është vërtetuar se gjatë procesit të të parit, do të
thotë ngacmimit të thupërzave, funksioni i tyre është i lidhur për një materie speciale, e cila gjendet në to, dhe quhet purpuri i të parit (rodopsinë), për krijimin e së cilës nevojitet vitamina A.
Kur drita bie në thupërza, rodopsina absorbon energjinë e dritës, duke e transformuar në lumirodopsinë. Energjia e absorbuar nga drita i jep lumirodopsinës sasi të madhe të energjisë së lirë. Nga kjo, në pjesë të sekondës, lumirodopsina ndahet në metarodopsinë, e që është i paqëndrueshëm, dhe ndahet në retinën dhe skotopsinë. Skotopsina shkakton potencial elektrik lokal i cili vepron drejtpërdrejt në membranën e thupërzave, duke shkaktuar potencial receptor. Impulset përcillen deri te qelizat ganglionale, të cilat transmetojnë impulset nervore për çdo 5 sekonda, madje edhe kur retina ndodhet në errësirë të plotë. Para të gjitha këtyre fenomeneve dhe mrekullive të panumërta të Krijuesit të përsosur nuk na mbetet tjetër vetëm se ta lavdërojmë dhe ta falënderojmë nga thellësia e zemrës, duke e kujtuar edhe versetin kuranor: “I Lartë është Allahu, më i
miri Krijues!”(4)

Plani dhe projektimi i jashtëzakonshëm që mbizotërojnë në gjithë natyrën

Argumentet e urtësisë së jashtëzakonshme janë të dukshme në çdo gjë të gjallë që njeriu e vëzhgon. Urtësia, plani dhe projektimi i jashtëzakonshëm që mbizotërojnë në gjithë natyrën, pasqyrojnë pa asnjë dyshim ekzistencën e Krijuesit, i Cili sundon mbi gjithçka. Ky është Allahu Hirmadh, i Cili i ka pajisur të gjitha gjallesat me karakteristika të jashtëzakonshme, duke ia treguar njeriut shenjat e qarta të ekzistencës dhe të fuqisë së Tij.

Emri Allah është vetëm për Qenien e Tij Fisnike

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik thotë: “Ai është Zot i qiejve dhe i Tokës, dhe çka ka midis tyre. Pra, Atë adhuroje, e në adhurimin ndaj Tij bëhu i qëndrueshëm! A di për Të ndonjë emnak (adash) të ngjashëm?!”(5)
Ja, kështu Allahu i Madhërishëm na ka lajmëruar se shprehja për Qenien e Lartë Hyjnore “Allah” nuk i vihet askujt tjetër, qoftë prej njerëzve ose jo, por është e posaçme vetëm për Qenien e Tij Fisnike.
Në këtë mënyrë Allahu i Madhërishëm e provokoi mbarë njerëzimin në një çështje me mundësi zgjedhjeje, ngase emri është në kompetencën e njeriut për ta zgjedhur, edhe pse në këtë ekzistencë jetojnë besimtarë, jobesimtarë, djaj, xhinde, njerëz e të tjerë. A mos ke dëgjuar për dikë se e ka quajtur veten me emrin Allah, apo e ka emërtuar të birin me emrin
Allah? Jo, kjo nuk ja ndodhur kurrë, e as që do të ndodhë ndonjëherë, ngase Allahu i Madhërishëm e ka bërë të posaçëm këtë emër vetëm për Qenien e Tij Fisnike. Askush prej njerëzve nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Madje as ata njerëz që pretenduan se janë zot, sikurse ishte Faraoni,
Nemrudi etj., pra nuk patën guxim e as që u shkoi ndërmend ta quajnë veten me emrin Allah!

Theksimi i fjalës „Allah” ndikon te myslimanët

Psikologu danez Vander Hoven, paraqiti hulumtimin e tij për ndikimin e fjalës “Allah” te pacientët dhe te personat e shëndoshë. Profesori danez vërtetoi zbulimin e tij në bazë të studimeve të bëra te një numër i madh pacientësh, të cilët i kishte vëzhguar për një kohë prej tre vjetësh.
Disa prej pacientëve të tij ishin jomyslimanë, e disa të tjerë ishin myslimanë. Rezultati ishte i shkëlqyeshëm, e sidomos tek ata që vuanin nga ankthi dhe depresioni. Psikologu i përmendur kishte thënë se myslimanët që rregullisht e lexojnë Kuranin, ata janë në gjendje të mbrohen nga sëmundjet psikike. Ja si e ka shpjeguar ky psikolog veprimin e secilës shkronjë të fjalës “Allah” në shërimin e sëmundjeve psikike. Në studimin e tij shkencëtari i lartpërmendur ka theksuar se me rastin e leximit të shkronjës së parë “A” lirohet sistemi respirator, duke e kontrolluar frymëmarrjen.
Gjatë leximit të konsonantit velar “L” gjuha duhet ta prekë lehtë qiellzën, dhe duke bërë një pauzë të shkurtër e lehtëson procesin e frymëmarrjes.
Ndërsa leximi i shkronjës së fundit “H” mundëson lidhjen në mes të mushkërive dhe zemrës, dhe kjo lidhje kontrollon ritmin e zemrës. Pra, theksimi i fjalës “Allah” vë baraspeshën e sistemit kardiorespirator.

Kurani e qetëson shpirtin, zemrën dhe sistemin nervor

Kurani famëmadh ka qenë dhe do të jetë mrekullia më e madhe, ngase në çdo kohë zbulohen begatitë, fshehtësitë dhe depot pa fund të tij.
Ai gjithnjë paraqet risi dhe freski për besimtarët, ilaç trupor dhe shpirtëror, siç aludon verseti i Kuranit fisnik: “Ne ta shpallim Kuranin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.”(6)
Edhe Dr. Ahmed El Kadi në qytetin Panama Siti të Floridës vërteton ndikimin e Kuranit fisnik në organizmin e njeriut. Eksperimentin e tij e bëri në grupin e myslimanëve, jomyslimanëve dhe të shurdhëve, duke e matur pulsin, tensionin e gjakut, shkallën e djersitjes, temperaturën e lëkurës, EKG, EEG dhe EMNG. Hulumtimet vërtetuan te besimtarët arritjen e qetësisë gjatë leximit të Kuranit, dhe atë në 97% të të ekzaminuarve.
Ndërsa, te grupet e tjera qetësia u arrit në 60% të të ekzaminuarve. Rezultatet e këtij hulumtimi përputhen me atë që Allahu i Madhërishëm e ka thënë në Kuranin fisnik qysh para 14 shekujve: “Allahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla e dispozita), që nga (dëgjimi i) tij rrëqethen lëkurat dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i Allahut, e me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.”(7)
Në këtë verset kuranor vërehet se leximi i Kuranit vepron në lëkurën
dhe zemrën e njeriut, të cilën e ka vërtetuar edhe hulumtimi i lartpërmendur. Ekzistojnë versete të shumta që vërtetojnë se Kurani vepron duke qetësuar shpirtin, zemrën dhe sistemin nervor. Allahu i Gjithëfuqishëm i drejtohet mbarë njerëzimit duke u thënë: “O ju njerëz! Te ju erdhi Këshilla (Kurani) prej Zotit tuaj, dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), e edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët.”(8)
Edhe në hadithe të shumta të Muhamedit, alejhi selam, keni argument në veprimin e bukur të Kuranit fisnik. Muslimi transmeton në Sahihun e tij thënien e Muhamedit, s.a.v.s., i cili ka thënë: “Nuk mblidhen njerëzit në ndonjë shtëpi të Allahut që lexojnë Kuran dhe e studiojnë atë mes vete e mos të lëshohet siguria (qetësia) mbi ta, dhe t’i mbulojë mëshira, t’i rrethojnë melekët, dhe Allahu mos t’i përmend në mesin e atyre që janë tek Ai.”. Pra, a ka gjë më të bukur se Kurani?! A ka gjë më të bukur se
versetet e tij?! A ka argument më të fuqishëm të Allahut se Kurani famëmadh, i cili është dhe mbetet mrekulli e përhershme në duart tona, deri në
Ditën e Gjykimit. Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin fisnik: “Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kuran shembuj nga çdo lëmi e nevojshme, ashtu që ata të marrin përvojë (mësim).”(9)

Allahu i Madhërishëm betohet në agimin që frymon

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin fisnik, urdhëron dhe thotë: “Pasha agimin kur ai shkrep (frymon)!”(10) Po ashtu thotë: “Fale namazin kur zbret (nga zeniti) dielli, e deri në errësirën e natës, dhe duke bërë lutjen (namazin) e agimit. Lutja e agimit vërtet është e përcjellë.”(11)

Kurani famëmadh inkurajon të fjeturit herët dhe zgjimin që në agim.

Në një hadith thuhet: “Popullit tim i është dhënë bereqet herët në mëngjes.”. Ndërsa në një hadithin tjetër thotë: “Dy rekatet e namazit të sabahut kanë më shumë vlera sesa dynjaja dhe çfarë ka në të.”. Pra, në Kuranin fisnik Allahu i Madhërishëm betohet në agimin që frymon. Shikimi i agimit, tek ai që e vëren me zemër të hapur, dukshëm lë të kuptohet se ai me të vërtetë frymon.
Këto skena kozmike të paraqitura me bukuri, shkëlqim dhe elegancë u dhurohen ndjenjave të fondit njerëzor. Këto paraqitje kozmike njeriu intelektual i pranon me ndjenja poetike. Në këtë mënyrë shpirti njerëzor lidhet me shpirtin kozmik nëpërmjet shprehjes së bukur dhe frymëzuese, dhe kështu shpirti kozmik rrjedh në shpirtin njerëzor me fshehtësitë e tij, duke reflektuar Fuqinë Hyjnore, e cila qëndron pas dhe e cila flet sinqerisht për të vërtetën e besimit.
Të mirat që përfiton njeriu nga të zgjuarit herët në mëngjes janë shumë, e ndër to është edhe përqindja e ozonit në ajër është më e lartë në agim. Ky gaz ndikon pozitivisht në sistemin nervor, dhe e gjallëron aktivitetin mendor, duke bërë që kulmi i aktivitetit mendor dhe fizik i njeriut të jetë herët në mëngjes. Rrezet e diellit në lindjen e tyre janë përafërsisht në ngjyrë të kuqe, dhe është i njohur tashmë ndikimi stimulues për nervat, për aktivitet fiziologjik të organizmit të njeriut, si dhe për shumë dobi të tjera të kësaj natyre.
Zgjimi herët në mëngjes parapengon paraqitjen e krizave hipertenzive dhe sëmundjeve trombembolike. Shkencërisht është vërtetuar se sasia më e lartë e kortizonit në gjak ndodhet në mëngjes, duke arritur nivelin 72-75 mikrogram në 100 ml plazmë. Ndërkaq, gjendja më e ulët e tij haset në mbrëmje, ku arrin në nivelin në më pak se 7 mikrogram në 100 ml plazmë. Dihet se kortizoni është substancë “magjike” që rrit aktivitetin e organizmit. Kortizoni vepron në qelizat e organizmit, si dhe në procesin e imunitetit. Gjithashtu kortizoni parandalon reaksionin inflamator në proceset alergjike. Rol të veçantë kortizoni luan edhe në gjendjet e stresit, niveli i të cilit rritet në gjak.

Në ujërat e lumenjve dhe të deteve gjendet një burim i pashtershëm ushqimi

Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin famëmadh: “Ai është që e nënshtroi detin, që nga ai të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i mbani (i vishni). Dhe i sheh anijet si çajnë (lundrojnë) në të (me ushtimë e çajnë ujin në det). Ua nënshtroi që të shfrytëzoni nga begatitë e Tij, dhe ashtu të falënderoni (Zotin).”(12)
Peshku në të gjitha llojet e tij është një ushqim i mirë për njeriun, dhe kjo që nga kohët e lashta. Peshku përmban sasi të mëdha proteinash. Vaji i peshkut është burimi më i pasur i vitaminave të tretshme në yndyra, më e rëndësishmja e të cilave, vitamina A, vepron kundër dobësimit të shikimit në errësirë, ndërsa vitamina D është e domosdoshme për rritjen e eshtrave, po është edhe kundër sëmundjes së rakitizmit te fëmijët.
Peshku është një burim i mirë i kalciumit. Sasia e zvogëluar e kalciumit shkakton spazme muskujsh (tetonia), zgjerimin e zemrës (dilatimi), si dhe rritjen e permeabilitetit të membranës së qelizave nervore. Peshku është burim kryesor i jodit, i cili është lënda e domosdoshme për funksionimin e gjëndrës tiroide. Sasia e jodit në organizëm është 14 mg. Jodi është i rëndësishëm për formimin e tiroksinës, i cili e mban në nivel intensitetin e metabolizmit në qeliza. Peshku përmban edhe fosfor, i cili luan rol të rëndësishëm në proceset metabolike të organizmit. Eshtrat përmbajnë sasi të mëdha të kalcium fosfatit. Shkenca bashkëkohore ka zbuluar se: 100 g peshk përmban 16% proteina, 9% yndyra, 20 g kalcium, 29 g hekur, 0. 5 g fosfor dhe disa vitamina B. Peshku përbën ushqimin kryesor për një numër të madh njerëzish.
Për këtë Allahu, Krijuesi i Urtë, i favorizon krijesat e Tij, duke bërë që në ujërat e lumenjve dhe të deteve të gjendet një burim i pashtershëm ushqimi.

Krijimi i kafshëve dhe dobia e mishit

Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin fisnik: “Edhe kafshët Ai i krijoi, dhe në saje të atyre ju mund të mbroheni (nga të ftohtit); e keni edhe dobi të tjera, dhe prej tyre hani.”(13)
Me siguri njeriu nuk mund të vazhdojë me jetë normale, nëse mishi i mungon ushqimit të tij, që është ushqimi më i pasur me proteina. Mishi karakterizohet nga fakti se yndyrat që ndodhen në të kanë fuqi të lartë kalorie. Po ashtu është i pasur me hekur, fosfor, vitaminë B dhe vitaminë A. 100 g mish e furnizojnë trupin me rreth 5% të nevojave të tij për proteina. Proteinat përmbajnë 10 deri në 20% të masës qelizore.
Nukleoproteinat e bërthamës dhe citoplazmës qelizore janë gjenet që kontrollojnë tërë funksionin e qelizës dhe përcjelljen e dukurive trashëguese.
Enzimat e përbëra nga proteinat katalizojnë reaksionet kimike në qelizë, pra ato kontrollojnë funksionet metabolike në qelizë. Roli kryesor i albuminave është mbajtja e shtypjes koloido-osmotike, e cila parapengon humbjen e plazmës nga kapilarët. Mëlçia e kafshëve është një depo për shumë lëndë ushqyese dhe shumë vitamina, veçanërisht A, D, B, proteina dhe hekur. Për këtë arsye ajo përdoret për kurimin e anemisë së rëndë. Ndërsa truri i kafshëve është i pasur me fosfor, i domosdoshëm për punën dhe vitalitetin e nervave, si dhe me elemente të tjera, si bakri dhe zinku. E, mungesa e bakrit shkakton anemi mikrocitare.
Zinku është pjesë përbërëse e enzimit karboanhidraza, i cili gjendet në sasi të madhe në rruazat e kuqe. Ky enzimë është përgjegjës për lidhjen e shpejtë të karbon dyoksidit me ujë në rruazat e kuqe dhe kapilarët periferikë, si dhe për lirimin e shpejtë të karbon dyoksidit nga kapilarët e gjakut të mushkërive në hojëza. Zinku është pjesë përbërëse e dehidrogenazës laktike, si dhe përbërës i disa peptidazave, e të cilat janë të rëndësishme për tretjen e proteinave në aparatin digjestiv. Zink ka mjaft edhe në pankreas, dhe shumë lehtë lidhet me insulinën.
Mungesa e proteinave për një kohë të gjatë shkakton sëmundje, si:

– ulja e mesatares së rritjes;
– dështimi dhe çrregullimi i procesit digjestiv;
– inaktiviteti i mëlçisë;
– anemia;
– nefropatia;
– ngecja mendore;
– të ënjtura të përgjithësuara. Etj.

Përmendja e milingonave

Në Kuranin famëmadh një kaptinë e quajtur “Milingona” tërheq vëmendjen e njeriut për të logjikuar e medituar për madhështinë e Krijuesit të Gjithëfuqishëm, pra në krijimin e këtij insekti, për të cilin Kurani thotë: “O ju buburreca, hyni në vendet tuaja, që mos t’ju copëtojë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju vërejtur!”(14)
Shkenca bashkëkohore ka zbuluar se milingona përngjasin me njeriun në zakone. Ato ndërtojnë qytete, hapin rrugë nëntokësore, depozitojnë ushqimin në depot e veçanta. Fiset e milingonave i shpallin luftë njëritjetrit, dhe fitimtari merr robër lufte. Pa dyshim se milingonat kanë një qytetërim të çuditshëm dhe të veçantë.
Ekzistojnë disa lloje milingonash që merren me mbjelljen e barërave për ushqim, dhe gjuajnë lloje të caktuara krimbash dhe lavrash. Ushtarët (e milingonave të bardha) janë më të mëdhenj se milingonat punëtore, dhe kokat e tyre janë më të mëdha dhe më të forta. Kur qyteti sulmohet nga milingonat e tjera, ushtarët mblidhen në hyrje të tij, ngjiten sipër njëri-tjetrit, duke formuar një mur të gjallë.
Milingonat jetojnë në shoqëri me shumë insekte. Gjer më sot janë gjendur rreth 2000 lloje insektesh të ndryshme brenda vendbanimeve të milingonave. Milingonave u pëlqen një substancë e ëmbël (vesa e mjaltit), të cilën e marrin nga gjethet dhe drunjtë e pemëve.
Organizimi i mirë i punës së milingonave ka arritur deri aty sa ato të ndërtojnë dhoma të veçanta për “insektet e nektarit” që e ruajnë. Kokrra e grurit, nëse lihet në fole, do të rritet e do të mbijë, gjë që do ta shkatërronte folenë e saj. Mirëpo, milingona e ndan kokrrën e grurit në dy apo katër pjesë, duke e prishur kështu embrionin e saj. Kush e udhëzoi milingonën t’i mësojë këto gjëra?! Pa dyshim se Krijuesi i Gjithëfuqishëm, siç e përshkruan verseti kuranor: “Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të Lartësuarin! I Cili e krijoi dhe përsosi, dhe i Cili e përcaktoi dhe e orientoi.”(15)

Fjala „e gjelbër” përmendet në shumë ajete

Fjala “e gjelbër” përmendet në shumë versete të Kuranit fisnik, veçanërisht në rastet kur kemi përshkrim të gjendjes së banorëve të Xhenetit dhe përshkrim të kënaqësive të i rrethojnë ata. Me këtë rast rikujtojmë versetet kuranor, duke medituar po ashtu: “Aty rrinë të mbështetur në mbështetëse të gjelbra e shtroja të bukura.”(16); “Kanë të veshur petka mëndafshi të hollë e të gjelbër, dhe të mëndafshit të trashë.”(17); “…ata veshin rroba të gjelbra nga mëndafshi i hollë e i trashë…”(18)
Psikologët kanë konstatuar se ndikimi i ngjyrës te njeriu është shumë i madh. Për këtë janë kryer eksperimente të shumta, e të që e bëjnë të qartë se ngjyra ndikon në reagimin apo vetëpërmbajtjen e njeriut, dhe e bëjnë atë të ndihet i gëzuar apo i trishtuar, të ketë të ftohtë apo të nxehtë, madje ndikon edhe në personalitetin e njeriut dhe në këndvështrimin e tij për jetën. Muhamedi, alejhi selam, ka thënë: “Shikimi në gjelbërim dhe ujë e qetëson syrin.”. Sot spitalet dekorojnë ngjyrën e mureve me ngjyra të frymëzuara nga këto, gjë që ndihmon për shërimin e të sëmurëve.
Eksperimentet dhe studimet psikologjike e kanë bërë të qartë se ngjyra e verdhë e gjallëron sistemin nervor, se ngjyra e kuqe e mbyllur i qetëson nervat, se ngjyra blu e bën njeriun të ndiejë të ftohtë, se ngjyra e kuqe e bën njeriun të ndiejë ngrohtësi etj.
Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se ngjyra e vetme që ngjall
gëzimin në shpirt dhe në mendime, dhe që te njeriu ndez shkëndija të
gëzimit dhe të dashurisë për jetën, është ngjyra e gjelbër.
Eksperimenti më interesant që argumenton ndikimin e ngjyrës së gjelbër në psiken e njeriut është bërë në Londër, në urën “Blak Fajar”, që njihej si “Ura e Vetëvrasjeve”, pasi pjesa më e madhe e rasteve të vetëvrasjeve ndodhin te ajo urë. Ata e ndryshuan ngjyrën nga e zeza në atë të gjelbër. Si rezultat numri i vetëvrasjeve ra menjëherë në 1/3. Pra, kudo përreth nesh shihet urtësia e Allahut të Gjithëfuqishëm, e edhe në krijimin e bimëve dhe të pemëve me ngjyrë të gjelbër.

Rëndësia e pastërtisë

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik thotë: “…Allahu i do ata që pastrohen”.(19) Apo edhe: “…Allahu i do ata që pendohen dhe ata që duan të pastrohen.”(20)
Një nga veçoritë kryesore të Islamit është pastërtia, nga e cila buron edhe forca trupore, shëndeti dhe gjallëria. Njëri prej atyre që e kanë përqafuar Islamin në Perëndim thotë: “Edhe sikur mos të kishte në Islam asgjë tjetër përveç pastërtisë, kjo do të mjaftonte.” Allahu i Gjithëdijshëm në Kuranin e lëvdueshëm thotë: “O ju që besuat! Kur doni të ngriheni për të falur namazin, lani fytyrat tuaja dhe duart tuaja deri në bërryla, fërkoni kokat tuaja, dhe lani këmbët deri te nyjat!”(21)

Nga dobitë e shumta të abdesit, të vërtetuara shkencërisht, po i përmendim:

? parandalimi i transmetimit të shumë sëmundjeve bakteriale që përcillen nëpërmjet lëkurës dhe ndotjes së duarve;
? aktivizimi i qarkullimit të gjakut duke i fërkuar gjymtyrët;
? parandalimi i sëmundjes së sinuseve;
? ndjenja e freskisë trupore e shpirtërore;
? parandalimi i sëmundjeve të lëkurës, etj.

Dobitë e larjes së trupit, veçanërisht pas marrëdhënieve intime, janë:

? aktivizimi i trupit dhe mënjanimi i plogështisë;
? pakësimi i kongjestimit të gjakut në lëkurë dhe në organet gjenitale, gjë që e përcjell gjakun në organet vitale të trupit si zemra e truri;
? larja siguron normalizimin e funksioneve të lëkurës, më të rëndësishmet e të cilave janë: përçimi i ndjeshmërisë, rregullimi i temperaturës dhe mbrojtja e organizmit.
? larja siguron pastrimin e lëkurës nga djersa dhe sekrecionet yndyrore.

Për këtë Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin fisnik: “…Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)!..”(22) Apo edhe: “E kur të pastrohen, atëherë afrojuni atyre ashtu siç jua ka lejuar Allahu!”(23) Allahu i Madhërishëm thotë në Kuranin fisnik: “Dhe pastroji rrobat tua!”(24)
Pastërtia e rrobave është kusht për vlefshmërinë e namazit dhe adhurimeve të tjera. Vlera e rrobave për mbrojtjen e njeriut nga të ftohtit dhe nga burimet e ndotjeve bakteriale tashmë është e njohur.

Ruajta e ekuilibrit dhe e baraspeshës ekologjike në Tokë

Islami ka një pozicion të qartë në ruajtjen e mjedisit. Qëllimi i ruajtjes së mjedisit është që të krijohen kushte optimale për një ndërveprim harmonik mes njeriut dhe mjedisit, si një tërësi e vetme, pasi ndotja nga individi, e që ka karakter lokal, herët a vonë shndërrohet në një ndotje të përgjithshme të mjedisit.
Allahu i Plotfuqishëm në Kuranin famëmadh përkujton: “E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në tokë!”, – ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues).”(25)
Sot shfrytëzuesit e teknologjive shfajësojnë vetën para botës, dhe thonë se po përpiqet ta zhvillojë dhe të krijojë mirëqenie në emër të një jete sa më komode, ndërsa njerëzit janë të detyruar të thithin helmin e fabrikave dhe të sakrifikojnë jetën e shëndetshme, duke vënë në rrezik vetë ekzistencën e tyre, si dhe duke e prishur rendin dhe ekuilibrin në Tokë.
Ruajtja e mjedisit, pra, nuk është vetëm bindje ndaj rregullave kuranore,
por është edhe një çështje jetike për të gjithë banorët e planetit tonë. Zhvillimi gjithnjë e më i madh i industrisë, pa aplikimin e masave mbrojtëse të përshtatshme, shpie te ndotja e madhe e ajrit dhe e ujit, gjë që e rrezikon së tepërmi shëndetin e njeriut.
Sot njerëzimi duhet që sa më shpejtë, me tërë diturinë dhe forcën, të angazhohet në luftë kundër shfarosjes së llojeve biologjike dhe çdo gjëje tjetër që është e lidhur me prishjen e baraspeshës ekologjike botërore.
Allahu i Plotfuqishëm i krijoi qiejt dhe Tokën, dhe u fali bukuri mahnitëse. Ai ia nënshtroi të gjitha këto njeriut, të cilit ia dha mendjen, që t’i shfrytëzojë për të mirën e tij dhe të shoqërisë. Njeriu tani mund të zgjedhë me dy vendimeve: ose ta kultivojë dhe ta zhvillojë bukurinë e natyrës
dhe t’i kontribuojë prosperitetit të vet; ose ta shëmtojë bukurinë e natyrës dhe t’i ndihmojë kështu shkatërrimit. Planeti ynë – Toka, për çdo ditë po merr një dukje tjetër, duke i ngjarë një gruaje plakë me grim, mirëpo të vrazhdë, të mjerë, në të cilën gjithnjë e më pak ka vende për jetë të qetë.
Në këtë kontekst është fatal fakti se sot në botë, sipas statistikave, çdo vit hidhen në ajër 200 milion tonë dyoksid sulfuri, i cili në bashkëveprim me avullin e ujit shndërrohet në thartira të njohura si “shi i thartë”. Po ashtu, çdo vit në dete dhe oqeane hidhen 1.500 kilometra kub ujë të ndotur industrial. Radionukleidet që lirohen nga 417 reaktorë atomikë gati e kanë mbuluar qiellin tonë.
Rreziku i zhdukjes së mbështjellësit të ozonit, i cili e mbron botën e gjallë në Tokë, pra nga rrezet ultravjollcë, është gjithnjë e më i madh.
Edhe mbeturinat e ndryshme industriale, gazrat e liruara nga automjetet dhe nga makineritë e tjera, pra e ndotin vazhdimisht mjedisin, ushqimin dhe ujin me plumb, zhivë, arsen, kadmium, fosfat, po edhe me materie të ndryshme radioaktive dhe materie të tjera helmuese.
Përveç industrisë, në ndotjen e mjedisit marrin pjesë edhe plehrat kimike dhe mjetet e tjera mbrojtëse kimike, të cilat sot përdoren shumë në bujqësi. Bota sot njeh afro 4 milion substanca kimike, nga të cilat 60 mijë
përdoren në bujqësi.
Shkenca bashkëkohore informon se 250 mijë substanca kimike janë potenciale mutagjene (deformojnë gjenet). Këto janë substanca kimike që shkaktojnë ndryshime të pakthyeshme (ireversibile) në vetitë trashëguese gjenetike te njerëzit.
Allahu i Madhërishëm për këtë tërheq vërejtjen në Kuranin famëmadh: “E kur atyre u thuhet: “Mos e prishni rendin në Tokë!”, – ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (paqtues).”. Veni re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, mirëpo nuk e kuptojnë.”(26)

Allahu i Madhërishëm betohet në pozitat e yjeve

Ky është një betim i vetëm në Kuranin fisnik, e për të cilin Allahu i Madhërishëm thotë se është një betim i madh. Nga teksti kuranor vërehet zakonisht se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për madhështinë e këtij betimi. Vetë fakti se kemi të bëjmë me betim madhështor, tregon se në të duhet përqendruar vëmendjen më posaçëm, për shkak të rëndësisë së tij shumë të madhe. Betimi në vete përmban diçka kolosale, sepse prej Atij që betohet varet vetë ekzistimi i gjithësisë. Pozita e yjeve tregon zakonisht rendin dhe harmoninë e kozmosit. Tani, le ta shohim si tingëllon ky betim i madh në gjuhen e Kuranit famëmadh: “Betohem në shuarjen (perëndimin) e yjeve! E ky është betim i madh, sikur ta dini.”(27)
Kuptimi i këtij betimi është përcaktuar me tri fjalë. Këto fjalë janë: mevaki, nuxhum dhe adhim. Le ta fillojmë shpjegimin e këtyre fjalëve me rend të kundërt:

– Adhim, do të thotë i madh, madhështor, i fuqishëm, kolosal, i jashtëzakonshëm.
– Nuxhum, është shumësi i fjalës nexhm, që do të thotë yjet.
– Mevaki, është shumësi i fjalës mevkia dhe kjo fjalë është përkthyer në shumë mënyra.

Kështu, Feti Mehdiu e kupton mevaki si “perëndim i yjeve”, Sherif Ahmeti si “shuarje e yjeve”, Hasan Nahi si “çasti i perëndimit të yjeve” etj.
Mirëpo, mevaki nuk e tregon kohën kur ka ndodhur diçka (mevakitnjësi vakti), por, përkundrazi e tregon vendin se ku ka ndodhur diçka. Po t’i shfletojmë fjalorët e gjuhës arabe, do ta shohim se mevaki do të thotë: vend, lokacion, pozicion, pozitë. Duke, pasur parasysh këtë kuptim, përkthimi i versetit Kuranor është: “Mirëpo jo! Betohem në pozitat e yjeve. Dhe vërtet, ky është betim madhështor, sikur ta dini.”(28)
Pozitën e ndonjë objekti në Gjithësi (yjet, galaktikat, mjegullnajat) i përcaktojmë me dy koordinata: rektascensionin dhe deklinacionin. Për shikuesit nga Toka, ndryshimi i pozitës së yjeve është i pandërperë; yjet “rrëshqasin” nga lindja në perëndim, për t’u paraqitur përsëri në lindje.
Mirëpo, ky është vetëm ndryshim imagjinar i pozitës. Kjo është evidente edhe gjatë stinëve të vitit. Mirëpo, yjet kanë edhe lëvizjet e tyre, të cilat në krahasim me Diellin, janë më të shpejta për disa dhjetëra km/s. Këto lëvizje mund të vërehen vetëm në intervale të gjata kohore.
Duhet ditur se ekzistojnë yje që dalin dhe humbasin çdo ditë (cirkumpolare), dhe po ashtu ekzistojnë yje që nuk dalin kurrë (anticirkumpolare). Ekzistojnë gjithashtu yje që, për shkak të pozitës që kanë në qiell, ne nuk i shohim kurrë. E, të këtillë janë yjet e qiellit jugor.
Duke marrë parasysh largësinë e pabesueshme të yjeve, ata na duken të palëvizshëm. Në realitet nuk është kështu. Hapësira në mes të yjeve rritet për çdo sekondë, ndërsa gjithësia është në zgjerim e sipër. Yjësia e Virgjëreshës për çdo sekondë është për 1.200 km të tjera larg nesh. Yjësia e Ujorit largohet nga Toka 60 km për çdo sekondë.
Pozita e yjeve, graviteti dhe baraspesha kozmike janë në lidhje të ngushtë, prandaj nuk mund të ndodhë asnjë ndryshim në pozitën e ndonjë ylli e mos të shprehet në hapësirën përreth tij. Mirëpo, secili ndryshim në kozmos është i sinkronizuar dhe i harmonizuar, prandaj për këtë nuk kemi pasoja në përmasa katastrofash.
Sot është e mundur që në bazë të lëvizjes së yjeve të përcaktohet vjetërsia e tyre, paraqitja dhe zhvillimi i galaktikave në gjendjen dhe formën e tanishme. Sot astronomët, përveç nevojës që të dinë se në cilën pjesë të qiellit t’i drejtojnë teleskopët e tyre dhe t’i shikojnë galaktikat e zbehta e të largëta, po edhe pozitën e vërtetë të yjeve, për mbajtjen e kursit të satelitëve artificialë, ata kanë nevojë të dinë dhe ta sigurojnë edhe ndihmën e nevojshme për drejtimin e sondave kozmike.
Yjet lëvizin me siguri pak kah ne, pak larg nesh, me një shpejtësi radiale. Për shkak të lëvizjeve të tyre yjet nuk kanë vend të njëjtë. Astronomët e ardhshëm, të cilët do të vijnë pas nesh, do ta shohin qiellin ndryshe nga mënyra se si e shohim ne, dhe ndoshta do t’i ndryshojnë emrat e yjeve! Kështu që, dituria e tanishme mbi lëvizjen e yjeve mundëson të kemi njohuri për të ardhmen dhe për të kaluarën e kupës qiellore.
Kurani herë-herë përdor ndonjë fjalë të cilën bashkëkohësit nuk janë në gjendje ta kuptojnë apo ta shpjegojnë, mirëpo Allahu i Madhërishëm e di se breznitë e ardhshme do ta zbulojnë dhe do ta shpjegojnë, siç e përshkruan verseti kuranor në vijim: “Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre, deri sa t’u bëhet e qartë se ai (Kurani) është i vërtetë.”(29)

________
1. El Mulk, 23.
2. El Ahzab, 62.
3. El Beled, 8.
4. El Muminunë, 14.
5. Merjem, 65.
6. El Isra, 82.
7. Ez Zumer, 23.
8. Junus, 57.
9. Ez Zumer, 27.
10. Et Tekvir, 18.
11. El Isra, 78.
12. En Nahël, 14.
13. En Nahël, 5.
14. En Neml, 18.
15. El Aëla, 1-3.
16. Er Rrahman, 76.
17. El Insan, 21.
18. El Kehf, 31.
19. Et Teube, 108.
20. El Bekare, 222.
21. El Maide, 6.
22. El Maide, 6.
23. El Bekare, 222.
24. El Mudethir, 4.
25. El Bekare, 11.
26. El Bekare, 11-12.
27. El Vakia, 75-76.
28. El Vakia, 75-76.
29. Fussilet, 53.

 

Nga: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)