Kurani, libri që vuan miqësinë e ngrohtë të myslimanëve

Prof. Driton Arifi

Duke qenë se Ramazani është muaji që madhështinë e tij nga Zoti e fitoi për shkak të madhështisë së librit që ka zbritur në të; ai vjen te ne edhe me thirrjen kumbuese që të rishikojmë sërish raportin tonë kundrejt tij. Kurani, shpallja e fundit hyjnore që zbriti në Ramazan, me fuqinë e tij magjepsëse, gati sa nuk e eklipsoi edhe vlerën e muajit në të cilin ai i zbriti të Dërguarit tonë (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të!). Në këtë muaj, më mirë se kurrë, kuptojmë vobektësinë e atij botëkuptimi të disave, që librin e Zotit e marrin thjesht si dekor vitrine, apo për të pasuruar raftet e bibliotekave të tyre, siç do të bënin kështu me cilindo libër tjetër.
Ky libër, brenda tij vërtet ka kulturë, por ai nuk është libër i kulluar kulturor që ne ta relaksojmë mendjen tonë nëpërmes leximit të tij, apo që të krenohemi se po e ruajtkemi me fanatizëm nga të parët tanë. Përtej kësaj, është libër që s’jeton dot i qetë pa dinamikën, pa gatishmërinë tonë për mishërim me mësimet e tij. Ai gjen prehje vetëm atëherë kur lexohet, meditohet dhe jetësohet nga ata që besuan në hyjnitetin e mesazheve dhe porosive të tij. Ai frymon mirë vetëm atëherë kur nuk braktiset.
Andaj, edhe lidhja e përshpirt e besimtarit të vërtetë me Librin e Allahut, është e tillë që nuk e lejon që me të të krijohet lidhje periodike. Ky burim udhëzimi për njerëzimin nuk toleron që të mbahet në dorë një muaj, e të braktiset për njëmbëdhjetë të tjerë, një shprehi e rëndomtë tanimë për shtresa të gjera të myslimanëve. Urtësitë e këshillat madhështore të tij nuk janë dobiprurëse për pak kohë, e të shuhet frytdhënia e tyre më pastaj. Ato mbesin të pavdekshme gjer në kataklizëm. Pse të braktiset, atëherë?
Madje, Allahu rrëfen për ne një situatë në Ditën e Gjykimit, kur i dërguari ynë, Muhamedi a.s., i ankohet Zotit të tij për braktisjen e këtij libri. Allahu në Kuran na tha: “Dhe, Pejgamberi (Muhamed) tha: “O Zoti im! Me të vërtetë, populli im (po) e merr këtë Kuran, si të braktisur.” (El Furkan, 30). Ajeti, katërçipërisht e rrëfen gjendjen reale të myslimanëve tash e disa shekuj, të cilët miqësinë me librin e tyre e kanë zbritur në nivelin e leximit të tij, edhe atë jo gjatë gjithë vitit, por vetëm në një muaj të tij, në Ramazan. Natyrisht, që s’janë të gjithë në këtë kualifikim, por pjesa dërmuese duket se po.
Muhamedi a.s. këtë libër e morri si amanet nga Zoti i tij për të mbetur udhërrëfyes i njerëzimit gjer në amshim. Andaj, kthimi ynë te Kurani në muajin Ramazan, shfletimi e leximi i tij pa ndalë, ndërsa braktisja e tij jashtë tij, në fakt rrëfen për krizën tonë në mendësi dhe shmangien tonë nga praktika e mirëfilltë e Islamit. Kurani, vërtet do të mbetët i njëjtë dhe i pandryshuar, por që ti që po e lexon dhe mediton në madhështinë e leksioneve të tij, nëse je i çiltër në synimin tënd, doemos se do të ndryshosh. Ai, i pandryshueshmi mbetet gjithnjë i tillë, por doemos se ka për të të ndryshuar ty. Hasan el Basriu, si erudit i rrallë që ishte, vërejti këtë lloj paradoksi edhe në epokën e tij. Dhe duke synuar që të kristalizoi mënyrën e shëndoshë të krijimit të miqësisë me Kuranin tha: “Për Allahun, nuk ka medituar në këtë libër ai që vetëm ka zënë përmendësh shkronjat e tij, ndërsa ka nëpërkëmbur dispozitat e tij. Madje dikush prej tyre edhe mund të pandehë se unë e kam lexuar Kuranin në tërësi, por që ai Kurani i tij nuk vërehet as në moralin e as në veprën e tij.”
Brezi i artë i myslimanëve e mbante në dorë Kuranin, për të ndriçuar fytyrat e veta me të, për të marrë nga drita e tij, e për të frymuar me mësimet hyjnore të tij. Edhe përtej kësaj, e lexonin atë që të pastronin shpirtin dhe mendjen e tyre nga çdo mbetje e epokës së injorancës nga e cila kishin vuajtur për shekuj me radhë. Kjo miqësi e vërtetë me Kuranin i bëri ata njerëz shëmbëlltyrë dhe pa asnjë dilemë se edhe u shndërruan në një brez të pavdekshëm e të lavdishëm në histori. Ky Libër hyjnor, për të tillë breza është përmalluar. Ka kohë që miqësinë e ngrohtë me të, ai nuk e ka shijuar. Pse të mos ia heqim ne brezi ynë këtë mallëngjim atij?!

Editorial
Dituria Islame 389