Kurorëzimi përmes video-konferencës

Dr. Bashkim Aliu

Pyetja: Cili është statusi i kurorëzimit përmes video-konferencës, në legjislacionin islam?

Kurorëzimi përmes video-konferencës

Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime
Fetvaja (5/32)

Përgjigjja: Martesa, sipas Islamit, është nevojë dhe adhurim, dhe Islami e stimulon martesën. Përmes martesës, njeriu e plotëson gjysmën e fesë, siç përmendet në një thënie të të Dërguarit të Allahut të përcjellë prej Enes ibn Malikut, ku qëndron se: “Atë, të cilin Allahu e furnizon me grua të mirë, e ka ndihmuar ta plotësojë gjysmën e fesë, dhe ai le të jetë i devotshëm ndaj Allahut në gjysmën tjetër”. Këtë hadith e ka transmetuar Et Taberaniju në përmbledhjen e haditheve “El Muëxhemul euset” dhe Hakimi në “El Mustedrek”. Martesa i forcon tullat me të cilat ndërtohet shoqëria njerëzore. Legjislacioni islam ka përcaktuar dispozita për martesën, të cilat duhet të plotësohen, që martesa të jetë e vlefshme. Këto dispozita janë të përmendura në librat e së drejtës islame, dhe këtu nuk do të mund t’i elaborojmë.
Pasi pandemia Kovid-19, e cila e përfshiu botën, bëri që njerëzit të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre, me urdhëra prej autoriteteve shtetërore, me qëllim që të zbatohen vendimet e institucioneve kompetente për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, me çka mbrohet edhe jeta e njerëzve, gjë që është një objektiv madhor i legjislacionit islam; pasi legjislacioni islam ndërtohet mbi lehtësim, bazuar në fjalët e të Lartmadhërishmit: << Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju…>> [El Bekare: 185]; << Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat)…>> [En Nisaë: 28]; si dhe eliminimin e vështirësive, bazuar në fjalët e të Lartmadhërishmit: <<… dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi…>> [El Haxhxh: 78]; po ashtu, bazuar në rregullat legjislative të miratuara nga juristët islamë, si: “Vështirësia tërheq lehtësim”, “Dëmi fetarisht largohet”, “Kur çështja ngushtohet, zgjerohet mundësia për zgjidhje”; si dhe bazuar në atë se prezenca e burrit dhe gruas që martohen, tutorëve dhe dëshmitarëve, si dhe grumbullimi i njerëzve për këtë ceremoni martese, paraqet vështirësi dhe dëm potencial, ne mendojmë se lejohet kurorëzimi përmes video-konferencës, si një mundësi bashkëkohore komunikimi, e cila mundëson që njerëzit ta shohin njëri-tjetrin në rast se kërkohet diçka e tillë. Është kusht që personi përgjegjës i cili e bën kurorëzimin të vërtetohet se janë plotësuar kushtet dhe rregullat fetare islame për kurorëzim, si dhe ligjet e vendit mos e ndalojnë kurorëzimin në këtë mënyrë. Po ashtu, konfirmojmë se është e domosdoshme që akti i kurorëzimit të regjistrohet në organet shtetërore kompetente, me qëllim që të mbrohen të drejtat.

Prej arabishtes: Bashkim Aliu. /tetovasot