Kurti: Anëtarësimi në KiE sjellë avantazhe për komunitetin joshumicë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për qytetarët serbë të vendit në lidhje me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave dhe rritjen e interesimit për t’u pajisur me pasaporta dhe targa të Republikës së Kosovës.

Kurti përmes një video ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KiE sjellë avantazhe për anëtarët e komuniteteve joshumicë, në kuptimin e qasjes në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Këto vizita vijnë në kohën kur qytetarët e Kosovës po e pranojnë identitetin e tyre evropian, jo vetëm në aspektin e qeverisjes dhe shoqërisë, por edhe me shansin për t’u afruar fizikisht me fqinjët tanë evropianë për shkak të liberalizimit të vizave. Qytetarët e Kosovës që dëshirojnë të vizitojnë familjet e tyre dhe të shohin nga afër kulturën e vendeve të rajonit Shengen, do të jenë të lirë të udhëtojnë pa viza nga 1 janari. Jemi të kënaqur që interesimi për përdorimin e kësaj mundësie po përhapet në të gjithë vendin, nga veriu në jug, me një rritje prej rreth 30% të aplikimeve për pasaporta biometrike këtë vit krahasuar me të kaluarin”, ka shtuar ai.

Sa i përket pajisjes me targa të Republikës së Kosovës, Kurti ka thënë se marrë parasysh që mbi 3260 pronarë të veturave nga fillimi i nëntorit e deri më tani kanë ndërruar targat e tyre me ato të Republikës së Kosovës, vërehet interesimi për integrim dhe kuptojmë e dimë se e njëjta gjë është në interes të çdo qytetari të Kosovës.