Kurti dhe kancelari i Austrisë dakordohen që Samiti Ekonomik vitin e ardhshëm të organizohet në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në rezidencën e Kancelarisë Federale të Austrisë nga Kancelari i Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin ka zhvilluar takim bilateral.

Gjatë këtij takimi, u diskutua për mundësitë e rritjes së investimeve austriake në Kosovë dhe u dakordua që në shërbim të kësaj gjatë vitit të ardhshëm të organizohet Samiti Ekonomik në Kosovë.

Sipas komunikatës për medie, Kurti e uroi kancelarin Schallenberg për detyrën dhe përgjegjësinë e re si Kancelar dhe theksoi gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Kosovës për të vazhduar raportet tejet të mira me Austrinë.

Ai foli për ringjalljen dhe rritjen ekonomike që po e përjeton Kosova që nga paslufta, e që këtë vit siç tha ai parashihet të jetë 9,9 për qind, dhe për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Schallenberg edhe për rritjen e shënuar në investimet e huaja direkte të cilat këtë vit janë 89 për qind më të mëdha sesa mesatarja e tyre gjatë dekadës së fundit dhe më të lartat që nga shpallja e pavarësisë”, thuhet në komunikatë.