Kurti: E gjithë Evropa në rrezik nga Putini i hidhëruar e nostalgjik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të martën në një intervistë për BBC-në se e gjithë Evropa është në rrezik, meqë siç ka thënë, presidenti rus, Vladimir Putin, është i hidhëruar dhe nostalgjik.

Duke folur për situatën në Ukrainë dhe kërkesën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, për takim me homologun e tij rus, Kurti ka thënë se Putini nuk është i interesuar për bisedime me Zelenskyyn.

“Mendoj se Presidenti Zelenskyy po tregon gatishmërinë e tij për bisedime dhe marrëveshje dhe për zgjidhje paqësore. Por kam frikë se Presidenti Putin nuk dëshiron të ulet me Presidentin Zelenskyy, ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden. Ju e dini se Presidenti Putin mendon se është Stalini i shekullit të 21-të dhe sheh Ruzveltin e ri te Presidenti Biden. Pra, përsëri, ata duan të copëtojnë Evropën, ata janë një perandori që duan të shtrihen përsëri në Evropën Lindore. Presidenti Putin është i hidhëruar dhe nostalgjik dhe kjo është arsyeja pse e gjithë Evropa është në rrezik”, ka thënë Kurti.

Ai ka shprehur qëndrimin e tij për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke kërkuar po ashtu ndihmën e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

“Sigurisht që ne duam të anëtarësohemi në NATO dhe Programi i Partneritetit për Paqe është caku i parë i rëndësishëm drejt kësaj. Vitin e kaluar ne kishim 330 ushtarë të ushtrisë sonë që morën pjesë në Defender Europe 21 që ishte ndërmarrja më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë. Ndërsa Serbia ka marrë pjesë së bashku me Rusinë dhe Bjellorusinë në atë që ata e kanë quajtur “Mburoja Sllave” në mes të tetorit të vitit të kaluar. Pra, ne duam të anëtarësohemi në NATO dhe duam ndihmën e Evropës Perëndimore, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për të arritur anëtarësimin e Kosovës sa më shpejt”, është shprehur Kurti.

Kryeministri i Kosovës i ka hedhur poshtë pretendimet e Rusisë se qytetarë nga Kosova kanë shkuar për luftë në Ukrainë.

“Nuk është e vërtetë. Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar të luftojë në Ukrainë, por që në fillim ne si Qeveri e Kosovës shprehëm admirimin dhe solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas, dënuam ashpër invazionit rus dhe iu bashkuam sanksioneve të ShBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe kundër Rusisë”, ka deklaruar Kurti.