Kurti e Osmani i ftojnë për takim Hoxhajn, Haradinajn dhe kryetarin e ardhshëm të LDK-së

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kandidat për kryeministër nga ky subjekt politik së bashku me u.d të Presidentes, Vjosa Osmani njëkohësisht kandidate për presidente i kanë ftuar në takim partitë tjera politike për të bashkëpunuar në themelimin e institucioneve.
Të gjitha letrat e dërguara partive politike përmbajnë tekstin e njëjtë.

“Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shumë me rëndësi që të procedohet tutje me formimin e institucioneve që reflektojnë vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare nga ana e KQZ-së.Me qëllim që ky proces i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionin në fuqi, ftoheni për konsultim për hapat e mëtejmë në këtë proces. Propozojmë që takimi të mbahet në formatin 1+1”, thuhet në letrën e Kurti e Osmanit.

Ajo që ndryshon në këto letra përveç orës dhe vendit të takimit, është fakti se në letrën drejtuar LDK-së, Kurti e Osmani kanë shkruar “Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës” dhe nuk e kanë përmendur Isa Mustafën i cili është ende kryetar në detyrë, ani pse ka dhënë dorëheqje.