Kurti: Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tani është koha e duhur që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës, në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik që po mbahet në Delphi të Greqisë të premten.

Sipas Kurtit, njohja e Greqisë do mund t’i sillte Kosovës edhe njohje të reja nga vendet e tjera.

“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim të mirë me Greqinë, mes popullit të Kosovës dhe Greqisë, mes të dyja qeverive. Është vetëm një urë që duhet ta kalojmë. Është koha e duhur që Greqia ta njohë Kosovën. Para kësaj dhe veçanërisht pas njohjes, ne mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimin tregtar. Mendoj se Greqia është lidere regjionale dhe mund ta ndihmojë Kosovën të marrë njohje të reja”, ka thënë Kurti.

Kurti u pyet edhe për vonesën e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët e Kosovës.

“Njerëzit janë të frustruar nga vonesa, edhe unë vetë kam qenë kritik, por ne nuk kemi alternativë tjetër. Qasja jonë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”.

Si synim tjetër i Qeverisë të udhëhequr prej tij, Kurti ka thënë që është edhe anëtarësimi në NATO.

“Shpresojmë se mund të kontribuojmë në sigurinë e kontinentit duke u bërë anëtar të NATO-s”, ka deklaruar Kurti, i cili edhe një herë dënoi veprimet e Rusisë mbi Ukrainën.