Kurti: Fushata kundër shqiptarëve të Luginës është e papranueshme dhe duhet të ndërpritet sa më parë

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim e Dialog, Besnik Bislimi, ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Ilir Kapiti, priti në takim kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafa me bashkëpunëtorë.

Spas njoftimit, në takim u bisedua për situatën aktuale në Luginën e Preshevës, në veçanti çështjen e pasivizimit të adresave të banorëve shqiptarë të komunave me shumicë shqiptare, që posaçërisht është intensifikuar në Medvegjë.

Kurti tha që është duke e përcjellë me vëmendje situatën me pasivizimin e adresave të shqiptarëve.

Ai theksoi se përderisa në të kaluarën Serbia tentonte të shpopullojë komunat me shumicë shqiptare me dhunë e tanke, tash po e bën në mënyrë administrative.

“Kjo fushatë kundër banorëve shqiptarë të Luginës së Preshevës është e papranueshme dhe duhet të ndërpritet sa më parë”, u shpreh ai.

Ragmi Mustafa e falënderoi Kurtin, për pritjen në takim e në veçanti për fondet e ndara nga Qeveria Kurti 1, gjatë krizës së pandemisë.

Ai paraqiti projekte të ndryshme që komunat me shumicë shqiptare synojnë t’i realizojnë.

Kurti dhe Mustafa u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc.