Kurti: Masat e vendosura nga BE-ja po na dëmtojnë, normalizimi me Serbinë para zgjedhjeve në SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është urgjente zbatimi i marrëveshjes së normalizimit, dhe se Kosova është e gatshme të shpallë zgjedhje të reja komunale në veri.

Në një intervistë për “Bloombergun” në Slloveni, Kurti është shprehur se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet përpara se aleatët e tyre të nisin të merren me zgjedhjet në SHBA dhe në Bashkimin Evropian.

“Ka një ndjenjë urgjence për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruara në njohjen reciproke de-facto, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”, tha Kurti.

Kryeministri përsëriti gatishmërinë për shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri.

“Për të nxitur një proces drejt një votimi të ri, të paktën 20% e popullsisë vendase duhet të bëjë peticion që mandatet e kryetarëve të komunave të ndërpriten dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë thanë se do të përpiqen të sigurojnë që këtë herë zgjedhjet të mos bojkotohen”, tha ai.

Kurti gjithashtu është shprehur se masat e vendosura nga BE-ja po na dëmtojnë në aspektin e mbështetjes financiare dhe materiale të fondeve dhe granteve dhe kredive që marrim Bashkimi Evropian, dhe se të njëjtat masa po dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit.

Kryeministri është shprehur se “Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duan të ndihmojnë dhe përkrahin Kosovën”. Por gjithashtu duan ta largojnë Serbinë nga ndikimi rus, ka shtuar ai.

Për Kurtin, kthimi në marrëveshjen e miratuar nga të dyja palët në mars në Ohër është e vetmja rrugë përpara.

“Marrëveshja është ende në tavolinë,” tha ai.