Kurti nga Vlora: Të punojmë bashkë, të rrugëtojmë bashkë, të jemi bashkë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nga Vlora Ditën e Flamurit dhe të Forcës.

Kurti ka thënë se 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit, andaj duhet treguar unitet.

“Nëntori i Flamurit dhe Forcës. Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit, 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëprerja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti më tej ka thënë se një ditë më parë është shënuar edhe dita e Forcës dhe se për Qeverinë e Kosovës ky ishte viti i ushtrisë.

“Me një ndarje buxhetore prej 123 milionë euro, që tejkalon çdo vit paraprak; e me 99% më tepër investime në blerje ushtarake përgjatë këtij viti, ushtria jonë po konsolidohet në aspektin profesional e operacional. Përkrahë aleatëve tanë po kontribuojmë në mbrojtjen e vlerave universale të lirisë, paqes dhe demokracisë. Forca e Sigurisë së Kosovës është forca e pashtershme e brezave të tërë të popullit tonë luftëtarë, të vendosur e të pathyeshëm”, ka shkruar Kurti.

Ai më tej e ka uruar Festën e 28 Nëntorit, duke thënë se duhet gëzuar për sukseset e secilit shqiptar.