Ballina Lajmet Kosovë Kurti për incidentin në Kuvend: Nuk ankohem që hedhin vezë, ankohem që...

Kurti për incidentin në Kuvend: Nuk ankohem që hedhin vezë, ankohem që nuk dialogojnë

Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me incidentin në Kuvend, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të tij, pasi Kurti kërkoi shtyrjen e sërishme të seancës konstituive.

Kurti tha se, nëse hedhja e vezëve është çmimi që duhet të paguajë në mënyrë që liderët politikë të ulen dhe të dialogojnë për të arritur një marrëveshje, ai është i gatshëm ta paguajë atë.

“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputete është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe të bisedojmë bashkë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim. Vetëm le të vijnë në takim, vetëm le të ulemi dhe të bashkëbisedojmë. Unë nuk ankohem që ata hedhin vezë, por unë ankohem që ata s’duan të takohen”, u shpreh Kurti.

Ai foli edhe për çështjen e presidentit, duke përsëritur qëndrimin e tij se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë mbipartiake dhe jashtë aktualitetit politik.

Sipas Kurtit, marrëveshja politike duhet të reflektojë edhe rezultatin e zgjedhjeve.

“Për mua të gjitha çështjet janë të dorës së dytë ose të tretë krahasuar me marrëveshjen që na duhet. Prandaj, edhe nëse bëhen aksione të tilla kundër meje, unë nuk jam këtu për veten time, por jam këtu për Republikën e Kosovës dhe kërkoj që edhe të tjerët të ulemi bashkë dhe për këtë Republikë të bëjmë marrëveshje”, deklaroi Kurti.